Katër persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi u kanë dhënë ndihmë disa shtetasve të huaj për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin kundrejt fitimit.
Në kuadër të operacionit të koduar “Rrezja 1”, Policia e Elbasanit ka vënë në pranga shtetasit, Xh.D., 29 vjeç, R.D., 23 vjeç, J.M., 22 vjeç dhe E.K., 21 vjeç, të katërt banues në Durrës.
Ndërsa, në kërkim u shpallën 40-vjeçari A.S., dhe S.K., 32 vjeç, të dy banues në Durrës.
Katër të rinjtë, në bashkëpunim edhe me G.S. dhe A.D., të cilët janë arrestuar më 28 shtator 2020, dyshohet se ndihmonin në mënyrë të organizuar shtetas të huaj me origjinë nga vendet e treta për të kaluar kufirin.
Ata i transportonin nga Korça drejt Tiranës duke u marrë 250-300 euro për person.
Mësohet se grupi, në kohë të ndryshme kanë transportuar një numër të konsiderueshëm personash, të cilët janë bllokuar nga policia, pa mundur të kalojnë kufirin.
Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 6 automjete dhe 11 aparate celularë.
Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




