Ka ndodhur

Deri në 180 km në orë dhe të dehur, arrestime dhe pezullim patentash

Policia rrugore, në 24 orëve të fundit gjatë kontrolleve në rrugë, ka arrestuar 8 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia thotë se janë pezulluar gjithsej 57 leje drejtimi, nga të cilat: 38 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara që varionin nga 74 km/orë në qendrat urbane në Kamëz, e deri në 180 km /orë, ku 20-vjeçari F.SH., u konstatua nga radari në rrugën interurbane Tiranë- Durrës, në aksin Maminas-Durrës.

Ndërkohë u pezulluan 19 patenta për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur në masë deri në 0.62 mg/l konstatuar në Tiranë, ku mes të tjerash, drejtuesi i mjetit, shtetasi A.LL, kryente manovra të rrezikshme në rrugë dhe për pasojë ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin rrethues të një godine.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 2482 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

412 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 324 masa për mospërdorim të rripit të sigurisë, 746 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 178 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 711 masa për parakalime të gabuara dhe 111 masa për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë