Analize

Deri ku mund të mbërrijë shtensionimi i raporteve SHBA-Kinë?

Nga Gazeta ‘Si’-Pas më shumë se 4 orë bisedimesh në Kaliforni, Xi Jinping dhe Joe Biden duket se kanë arritur një mirëkuptim për të stabilizuar lidhjet midis 2 vendeve.

Presidenti amerikan dhe ai kinez, ranë dakord të rivendosin komunikimet ushtarake në nivelin e lartë, të luftojnë së bashku trafikun e drogës së rrezikshme fentanil, si dhe të nisin një dialog që synon të parandalojë që siguria globale të kërcënohet nga Inteligjenca Artificiale.

Disa faktorë mund ta sabotojnë këtë afrim shumë të brishtë, që nga zgjedhjet e ardhshme në Tajvan, deri tek një përplasje qoftë edhe aksidentale në Detin e Kinës Jugore. Megjithatë, fakti që dy udhëheqësit duket se kanë rigjallëruar raportin personal që krijuan që në takimin e tyre të fundit, 1 vit më parë gjatë Samitit të G-20 në Bali të Indonezisë, është një zhvillim i mirëpritur.

Por nëse Xi shpreson vërtet që ta ruajë këtë shtensionim, ai duhet të fillojë të mendojë se çfarë do të ndodhë nëse samiti i tij i me superfuqinë rivale, nuk do të jetë më me Joe Biden, por me Donald Trump. Për udhëheqësin kinez të fiksuar pas stabilitetit, një administratë e dytë e Trump – skenar që sondazhet e cilësojnë të mundur – do të përbënte një ndryshim të madh.

Ndërsa në shumë aspekte Biden ka ndjekur një politikë më të ashpër ndaj Kinës se sa paraardhësi i tij, dhe sigurisht në një mënyrë më të disiplinuar, qasja e tij ka qenë të paktën e parashikueshme. Nga njëra anë, presidenti amerikan ka mbledhur aleatë në Evropë dhe Azi pas një kauze të përbashkët kundër Kinës.

Po ashtu ai ka kufizuar eksportet e teknologjisë së lartë, si dhe ka garantuar një mbështetje të fortë diplomatike dhe ushtarake për Tajvanin. Nga ana tjetër, administrata e tij ka shmangur vazhdimisht retorikën e ashpër, dhe ka vazhduar takimet diplomatike të nivelit të lartë që të pengojë daljen jashtë kontrollit të rivalitetit me Kinën.

Nëse Trump rimerr pushtetin, Xi nuk mund të llogarisë qoftë edhe një fasadë stabiliteti apo qëndrueshmërie në marrëdhëniet dypalëshe. Pashmangshmërisht raportet SHBA-Kinë do të jenë shumë më të paqëndrueshme.

Ndërsa Trump pritet që t’ia kushtojë pjesën më të madhe të kohës dhe energjisë së tij të larjes së hesapeve me armiqtë e tij politikë, ai ka të ngjarë t’u delegojë një autoritet të madh zyrtarëve përgjegjës për politikën e sigurisë kombëtare, të cilët kanë në parim një qasje shumë armiqësore ndaj Pekinit, duke i çliruar ata nga kufizimet që administrata Biden i konsideron si “parmakët mbrojtës”.

Rivaliteti me Kinën në fushën e sigurisë, sado serioz që është aktualisht, mund të bëhet edhe më i madh. Edhe pse vetë Trump duket se nuk e ka me qejf idenë e luftës, pavarësisht retorikës së tij luftarake, ekipi i tij i sigurisë kombëtare pothuajse me siguri do të jetë i prirur të kufizojë më tej qasjen e Kinës tek teknologjitë e përparuara, si dhe të përshpejtojë shkëputjen ekonomike midis 2 vendeve.

Ata mund të zgjerojnë lirinë e operacioneve të lundrimit në Detin e Kinës Jugore dhe Ngushticën e Tajvanit, duke shpresuar të zhdukin çdo perceptim të dobësisë së SHBA-së. “Politika e një Kine” e Amerikës mund të jetë një tjetër objektiv i vjetër, teksa Uashingtoni po i jep Taipeit një njohje më të hapur diplomatike dhe një mbështetje cilësore ushtarake më të madhe se sa dikur.

Është gati e sigurte se Kina do t’i shohë veprime të tilla si provokime serioze, që kërkojnë një kundërpërgjigje agresive. Në rrafshin gjeopolitik, partneriteti i Xi me presidentin rus Vladimir Putin mund të përballet me një provë të re.

Nëse Trump do të ndërpresë ndihmën për Ukrainën, Rusia do të gjendet në një pozicion strategjik shumë të përmirësuar, dhe do të ketë më pak nevojë për Kinën. Thirrjet për ta larguar Moskën nga Pekini mund të mbjellin mosbesim midis Putin dhe Xi.

Avantazhi i vetëm i mundshëm i një administrate të dytë Trump për Kinën, është se Trump ka të ngjarë të mbjellë kaos në vendin e tij dhe të distancojë sërish aleatët e SHBA-së. Nëse Trump do të zbatojë planet e tij për të ndalur mbështetjen ndaj Ukrainës dhe për të vendosur masa të reja proteksioniste, ai do t’i detyrojë aleatët evropianë të Amerikës të rivlerësojnë qasjen e tyre të ashpër ndaj Kinës.

Kjo do të krijojë hapësirë për Xi-në që t’i largojë ata akoma më shumë nga Uashingtoni. Për më tepër, Trump do të jetë sërish një president transaksional që i pëlqen të “fitojë”. Kjo do të thotë se Kina mund të jetë në gjendje të kënaqë egon e tij përmes lëshimeve në fushën e tregtisë.

Në aspektin ideologjik, Trump nuk ka gjasa të ushtrojë presion ndaj Kinës për të drejtat e njeriut.Gjithsesi, sfida kryesore do të mbetet atje:parandalimi i kolapsit të plotë të marrëdhënieve me SHBA-në. Dhe ajo kërkon që Kina të ndërmarrë që tani hapa parandalues, duke shfrytëzuar frymën pozitive të krijuar nga samiti i kësaj jave për të hedhur baza më të forta në marrëdhëniet me SHBA-në.

Xi do të ishte i zgjuar po të zbatonte marrëveshjet specifike që arriti me Biden, për të lehtësuar tensionet dhe për të krijuar një përvojë të re të bashkëpunimit midis institucioneve të sigurisë të SHBA dhe Kinës. Më në veçanti, ai duhet ta udhëzojë ushtrinë kineze që të mbajë kanale të hapura komunikimi dhe bashkëpunimi me Pentagonin, dhe të zhvillojë rregullisht bisedime thelbësore për strategjinë bërthamore të secilës palë.

Po ashtu, Kina duhet të parandalojë një tjetër spirale përshkallëzimi, duke frenuar aktivitetet e saj agresive ushtarake në Detin e Kinës Jugore dhe Ngushticën e Tajvanit. Siç po synon të bëjë Xi këtë javë, Kina duhet gjithashtu t’i bashkohet Amerikës së korporatave, që është potencialisht një kanal i dobishëm në rastin e një administratë të dytë Trump.

Ndërkohë Xi nuk duhet të injorojë as amerikanët e zakonshëm, pikëpamjet pozitive të të cilëve ndaj Kinën, janë zbehur në mënyrë drastike vitet e fundit. Rikthimi i një çifti pandash gjigante në kopshtin zoologjik kombëtar ‘Smithsonian’ në Uashington, që aktualisht është i privuar nga këto kafshë simpatike, do të ishte një akt dashamirës i vullnetit të mirë.

Miratimi i bursave për të rinjtë amerikanë që të studiojnë në Kinë, vend që aktualisht pret vetëm 350 studentë amerikanë, duhet të ndihmojë në zgjerimin e të kuptuarit më mirë të Kinës nga udhëheqësit e ardhshëm të Amerikës.

Fakti që qëndrimet ndaj Amerikës, duket se po bëhen më miqësore brenda vetë Kinës, tregon se një qasje e tillë mund të gjejë mbështetje edhe në SHBA. Të gjitha këto veprime, do ta ndihmonin Kinën nëse Biden rizgjidhet në detyrë. Nëse Xi ishte i vërtetë në atë që i tha homologut të tij amerikan për të shmangur konfliktin, tani është koha për ta provuar atë.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë