Drejtësia

‘Dërgoi fotot e Olsit në SPAK’, Altin Dumani i përgjigjet Berishës: S’ka asnjë kallëzim nga Zaho Koka

Nga Gazeta ‘SI’ – Kreu i SPAK, Altin Dumani i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha, lidhur me deklaratën se një personazh me emrin Zaho Koka ka dorëzuar në Gjykatë imazhe që provojnë lidhjet e vëllait të kryeministrit Rama me trafikantët e kokainës.

Dumani i është përgjigjur përmes një njoftimi për mediat, ku sqaron se ka kërkuar informacione nga Byroja Kombëtare e Hetimit lidhur me pretendimin e Berishës.

“Në përgjigje të interesit tuaj: Nisur nga deklarata e bërë në media, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Z. Altin Dumani i është drejtuar Drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përmes një shkresë më dt. 13.01.2025, për të bërë verifikimet e nevojshme, nëse është dërguar në BKH ndonjë shkresë nga shtetasi i përmendur si Zaho Koka, ku jepet informacion për shtetasin Ols Rama, si edhe rrëmbimin e një biznesmeni me inicialet V.B.”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Në përgjigjen që BKH i kthen Dumanit nënvizohet se nuk ka asnjë kallëzim nga ndonjë shtetas të identifikuar si Zaho Koka.

“Përmes kësaj shkrese, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z.Altin Dumani ka kërkuar nëse është dërguar një informacion i tillë, është regjistruar apo caktuar ndonjë hetues i BKH-së (cili prej tyre) dhe nëse është bërë verifikimi i tij.  Z.Dumani ka kërkuar gjithashtu të informohet nëse kanë përfunduar verifikimet e kryera dhe cila është procedura. Më datë, 14.01.2025, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes një shkresë sqaroi se: “Nga verifikimet e kryera në Sekretari, Protokoll rezulton se në Byronë Kombëtare të Hetimit nuk ka ardhur letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka”, thuhet më tej ne reagimin e kreut të SPAK.

Kreu i PD-së e bëri deklaratën në ambjentet e jashtme të SPAK, ku ishte për të respektuar masën “detyrim paraqitje”.

“Gjatë kohë që qëndrova në ndërtesa gjeta Zaho Kokën me dosjen e tij. Zaho po dëshmonte i rrethuar nga disa OPGJ për Olsi Ramën. Ai kishte dorëzuar foto e video që faktonin që Olsi Rama është një trafikant dhe se ai bashkë me një bandë erdhi nga Bostoni për të vazhduar trafiqet. Pjesa më e madhe e ndërtesës përbëhet nga plehrat e inceneratorit të Tiranës”, tha Berisha pasi doli nga dyert e SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë