Analize

Dërgimi në Ukrainë i parave të sekuestruara nga Rusia, një veprim i paligjshëm dhe i rrezikshëm

Nga Gazeta ‘Si’-Aktualisht Kongresi i SHBA-së po shqyrton një projekt-ligj, i cili në pamje të parë duket i mrekullueshëm: Akti REPO për ukrainasit. Ose Akti i Rindërtimit të Prosperitetit dhe i Mundësive Ekonomike për Ukrainasit. REPO është projektligj i hartuar bashkarisht nga Kongresi dhe Senati, me një mbështetje nga të dyja partitë.

Thelbi i saj është sa i guximshëm aq edhe i thjeshtë. Nëse miratohet, ky ligj do të autorizonte presidentin e SHBA-së që të konfiskojë miliarda dollarë në pronësi të Bankës Qendrore Ruse, por të mbajtura në bankat amerikane për t’ia dhënë ato ukrainasve.

Që kur presidenti rus Vladimir Putin, nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës vitin e kaluar – në fakt që kur pushtoi Krimenë dhe depërtoi në një pjesë të Ukrainës Lindore në vitin 2014 – unë kam shpresuar se Perëndimi do ta rrisë mbështetjen e tij ndaj Kievit, trupat e të cilit po luftojnë me aq shumë kurajo për mbijetesën e tyre kombëtare.

Prandaj është shumë shqetësuese që pas një fillimi inkurajues, tani po shohim një luhatje të vendosmërisë së Perëndimit për ta mbështetur më tej Ukrainën. Fraksioni MAGA (Make America Great Again) i Partisë Republikane, në varësi të mikut të Putinit, Donald Trump, po mban peng në Kongres paketën e re të ndihmës për Ukrainën.

Edhe kryeministri hungarez Victor Orban, një tjetër mik i Putinit, po bën diçka të ngjashme në Bashkimin Evropian. Pa armë dhe para të tjera, ukrainasit do ta kenë shumë më të vështirë të vazhdojnë t’i rezistojnë pushtimit.

Për këtë arsye shumë njerëz, përfshirë zyrtarët në Shtëpinë e Bardhë, por edhe republikanë pro-ukrainas, e kanë hedhur vështrimin tek afro 300 miliardë dollarë në asete që Banka Qendrore Ruse i mban në llogaritë e saj në vendet perëndimore.

Që nga sulmi i Putinit, këto fonde janë ngrirë, ndaj për momentin Rusia nuk mund t’i përdorë ato. Por siç e thekson Philip Zelikow, studiues dhe ish-diplomat amerikan “asetet potencialisht vendimtare janë aty, të palëvizshme dhe të padobishme për këdo”. Pse ndodh kjo? Akti REPO synon t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje retorike.

Por ai do të zbatohej vetëm për fondet sovrane ruse brenda SHBA-së, që janë vetëm disa miliarda dollarë. Pjesa më e madhe e parave ruse jashtë vendit ndodhet në Evropë, dhe veçanërisht në Belgjikë, në një depozitë të madhe letrash me vlerë të quajtur Euroclear.

Që REPO ta ndihmojë Ukrainën, duhet që t’i frymëzojë evropianët që ta imitojnë atë. Dhe kjo ngre pikëpyetje më të mëdha. Së pari, a do të shkelte ky ligj të drejtën ndërkombëtare? Dhe së dyti, e ligjshme apo jo, a do të ishte një lëvizje e zgjuar nga pikëpamja gjeopolitike? Unë pyeta për këtë Ingrid Brunk, eksperte në Shkollën Juridike Vanderbilt. Ajo më tha se ekzistojnë 3 mënyra të ligjshme për të sekuestruar asetet e një vendi sovran, dhe fatkeqësisht asnjë prej tyre nuk mund të zbatohet në rastin konkret.

Një rrugë do të ishte ajo përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ishte Rusia, ajo që e shkeli ligjin ndërkombëtar duke pushtuar një anëtar sovran të OKB-së. Ndaj këshilli mund ta detyrojë Kremlinin të dëmshpërblejë Kievin.

Por Rusia është një anëtare që ka të drejtën e vetos në atë Këshilli – ashtu si aleatja e saj, Kina – dhe kjo gjë nuk do të ndodhë. Një rrugë tjetër, do të kalonte përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare për paqe. Imagjinoni Traktatin e Versajës që i dha fund Luftës së Parë Botërore, dhe që vendosi pagimin e një dëmshpërblimi të madh nga Gjermania për vendet fituese të luftës.

Por kjo mund të ndodhë vetëm pas përfundimit të luftës, ndërsa Ukraina ka nevojë për ndihmë tani që të mund të fitojë. Një opsion i tretë, siç argumentojnë disa njerëz, është e drejta ndërkombëtare zakonore. Ajo lejon marrjen e disa “kundërmasave” ndaj vendeve që shkelin ligjin.

Ajo që ka lejen e këtyre masave është Ukraina. Por ka disa precedentë të dobët të vendeve si palë të treta që kanë marrë kundërmasa, dhe asnjë nuk ka arritur në shkallën e sekuestrimit të rezervave valutore të një vendi. Brunk mendon se logjika e kundërmasave tek e drejta zakonore, është të nxisë bindjen tek shkelësit e ligjit.

Nëse mbyllni hapësirën tuaj ajrore, edhe ne lejohemi të mbyllim tonën, derisa ju të rihapni. Kundërmasat nuk synojnë të jenë vetë-ndihmuese për vendet e treta që duan të kompensojnë vendet partnere që janë viktima të agresionit. Akti REPO i pranon në mënyrë të nënkuptuar këto probleme duke ndjekur një rrugë tjetër:ai fut në ligjet vendore kompetencën për të konfiskuar.

Në këtë mënyrë, do të ndiqej një rrugë të shkurtër brenda sistemit gjyqësor amerikan, duke e injoruar ligjin ndërkombëtar. Një veprim i tillë, do të ngrinte shumë probleme gjeopolitike. Një nga pasojat do të ishte të ishte përçimi i mesazhit tek Kina dhe vendet e tjera që kanë marrëdhënie të tensionuara me SHBA-në, se asetet e tyre e bankave të tyre do të konfiskohen, nëse për shembull Kina sulmon Tajvanin.

Duke iu frikësuar këtij skenari, ato do të shtojnë përpjekjet e tyre për t’i mbajtur rezervat e tyre monetare në qendra bankare neutrale dhe në monedha të tjera përveç dollarit dhe euros. Në planin afatgjatë, kjo mund ta minojë fuqinë e SHBA-së. Megjithatë, problemi më emergjent është se miratimi i ligjeve të përkohshme (ad hoc) për të sekuestruar asetet e vendeve sovrane, do t’i dukej një hipokrizi shumicës së vendeve të botës.

Që nga sulmit i Putinit, SHBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë kanë pohuar se Ukraina është vija e parë e frontit në një luftë globale për të mbrojtur “rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”. Por vendet nga Indonezia në Afrikën e Jugut dhe Brazili, nuk e besojnë këtë pretendim.

Ato mendojnë se SHBA-ja bën çfarë të dojë dhe më pas e justifikon. Duke sekuestruar asetet ruse me një ligj special, Uashingtoni do të ushqente narrativën hipokrite, dhe do të armiqësonte me tej të ashtuquajturin Jug Global.

Akti REPO dhe përpjekjet e tjera për të konfiskuar paratë e Kremlinit janë të mira, sepse ato synojnë ta ndihmojnë Ukrainën. Por janë rruga e gabuar për t’iu përgjigjur pyetjes së madhe të kohës sonë:nëse vendet liridashëse do ta pengojnë apo jo një agresor neo-imperialist si Putini që të pushtojë kombet që nuk kërcënojnë askënd, duke u mbështetur tek parimet e tyre.

SHBA-ja dhe Evropa duhet të jenë aktive në këtë rast por në mënyrën e duhur, duke e kapërcyer polarizimin dhe dezinformimin e brendshëm, dhe duke e ndihmuar Ukrainën me burimet e tyre. Nëse Kievi do të humbasë luftën, bota do të ishte një vend me një të ardhme më të zymtë. Dhe nëse Kievi triumfon, ne do të kemi boll kohë për të vendosur se çfarë të bëjmë me dollarët e Kremlinit në konferencën e paqes që do të pasojë fundin e luftës.

Burimi: Bloomberg/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë