Ndërkombëtarët pritet të ndërmarrin një rol aktiv për sa i përket ndërmjetësimit për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Këtë rol primar duket se do ta luajë Gjermania dhe jo ndonjë shtet tjetër. Para disa ditësh, Gazeta Si, paralajmëroi për mbërritjen e një delegacioni gjerman në Shqipëri, ku deputetët e Bundestagut pritet të kenë një rol sa i përket zgjidhjes së krizës politike. Delegacioni sipas burimeve pritet të vijë në shtator, por sot në Tiranë ka mbërritur nënkryetarja e grupit parlamentar të CDU-së, Katja Leikert, e cila mbulon politikat europiane.
Si pjesë e familjes së djathtë politike, të PPE-së, Leikert zhvilloi takimet sot me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Ndërsa mësohet se në axhendën janë edhe takimet me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.
Takimi me zyrtaren e lartë të CDU-së me Bashën ka zgjatur për më shumë se gjysmë ore. Pas largimit të Leikert, në zyrën e kryedemokratit ka shkuar ambasadori i Austrisë, Johan Sattler.
Por a po luajnë gjermanët rolin e negociatorit? Kjo gjë nuk u mohua nga Basha, pas daljes para medieve ku foli pas këtyre takimeve me ndërkombëtarët.

“Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar janë në bashkëpunim dhe koordinim të përditshëm me të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe ne e vlersojmë shumë rolin e tyre, vëmëndjen e tyre. Në këtë rast padiskutim që vlerësojmë edhe rolin, interesin dhe ndihmën që Gjermania, Bundestagu gjerman, CDU-CSU si pjesë e Bundestagut, japin për të mundësuar që Shqipëria të mos mbetet prapa, mos të mbetet peng i krimit dhe korrupsionit, por të ecë drejt integrimit në Bashkimin Europian, të ecë drejt hapjes së negociatave. Padiskutim që vendi mund të shkojë dhe do të shkojë drejt Bashkimit Europian duke u sjellë si një vend europian, duke u sjellë si shoqëri europiane, duke u sjellë si politikë europiane dhe pengesa kryesore sot për këtë është kapja politikës, institucioneve dhe ekonomisë nga një grup i strukturuar kriminal që tashmë çdokush e ka identifikuar si Organizata e Rilindjes me në krye Edi Ramën”, theksoi Basha.

Ndërsa zgjidhja për PD-në është që të mbahen zgjedhje të parlamentare të parakohshme dhe ato lokale njëherësh. Ky duket se është opsioni i opozitës, që ka rinxjerrë në skenë edhe krijimin e qeverisë tranzitore.
Kryedemokrati nuk mohoi edhe faktin se nënkryetarja e CDU-së është negociatorja mes palëve, duke theksuar se ajo do të qëndrojë disa ditë në Shqipëri. “Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar është në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar. Pjesë e këtij komunikimi ishte edhe takimi i sotëm me nënkryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman, zonjën (Katja) Leikert, komunikim i cili vazhdon intensivisht, në mënyrë pothuajse të përditshme, dhe do të vazhdojë, edhe në ditët e javët në vijim”, pohoi Basha.
Disa ditë më parë, kryedemokrati Basha pati një takim me ambasadorin e ri të Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Zingraf. Ky ishte takimi i parë zyrtar i Peter Zingraf, pas marrjes së detyrës së tij si ambasador. Biseda mes tyre është mbajtur e fshehtë dhe nuk janë mësuar detaje se çfarë është diskutuar. Porse mendohet që Zingraf po bën të mundur vendosjen e kontakteve të deputetëve gjermanë me udhëheqësit politik shqiptarë.
Në shtator në Shqipëri pritet të vijë një delegacion i Bundestagut gjerman, si dhe i deputetëve të Parlamentit Europian. Qëllimi i kësaj vizite shihet një mision faktmbledhës përpara se të merret vendimi për çeljen ose jo të negociatave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





