Gazeta Si – Derbi Tirana-Partizani këtë herë do të jetë më i zjarrtë se kurrë. Dy skuadrat rivale të kryeqytetit përplasen për javën e 33-të të Superiores, në një sfidë që vlen shumë për titullin kampion. Diferenca mes tyre ka shkuar në 2 pikë tashmë dhe të kuqtë do të luajnë gjithçka për gjithçka, duke synuar parakalimin.
Ndoshta presioni është më i madh për Tiranën, që do ta ketë më të vështirë këtë derbi për shkak të mungesave. Trajneri Orges Shehi është privuar nga tre futbollistë titullarë, të cilët janë skualifikuar pas kartonëve të marrë në transfertën e Durrësit, ku kampionët në fuqi humbën 2-1.

Mbrojtësi Behiratçe u ndëshkua me karton të kuq dhe është i pezulluar, ashtu si dhe mesfushori Ardit Hila dhe sulmuesi Florent Hasani, të cilët kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Që të tre do ta ndjekin këtë derbi vendimtar nga tribuna, ndërkohë që stafi teknik duhet të gjejë zëvendësuesit e duhur.
Janë mungesa që penalizojnë të tre repartet e Tiranës. Partizani në anën tjetër vuan mungesën e mbrojtësit Eljon Sota, edhe ky për shkak kartonësh. Trajnerit Kolela i duhet ta fitojë derbin për ta kaluar peshoren e titullit në anën e Partizanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




