Futboll

Derbi ‘peng’ i tifozëve, festë e dyfishtë në fund për Partizanin

Gazeta Si – Partizani ka fituar 2-0 derbin e pambarimtë, duke bërë që kryeqyteti të mbetet i kuq. Një fitore me vlera të dyfishta për këtë skuadër, që njëkohësisht ka marrë edhe kreun e renditjes.

Spektakli në fushë doli në plan të dytë, sepse derbin e morën ‘peng’ tifozët, të cilët e ndërprenë atë sa herë që donin. Në shkallët e ‘Air Albania’ pati spektakël flakadanësh, kapsollash dhe fishekzjarresh, megjithatë ultrasit i kaluan kufijtë, duke bërë që ndeshja të niste në orën 19:00 dhe të përfundonte pas mbi 2 orësh.

Ndeshja nisi me dy episode të shëmtuara, ku portierët Rexhepi dhe Bekaj u goditën me kapsolla nga tifozët pas portave të tyre. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, ata ishin në gjendje ta vazhdon lojën, por duhet theksuar se gjatë gjithë derbit pati ndërprerje të shumta nga tymi që pushtoi fushën nga kapsollat e hedhura pa fund nga tifozët.

Ndërprerja më e gjatë ishte ajo pas fillimit të pjesës së dytë, duke sjellë edhe protesta nga stafi i Partizanit. Në një moment tjetër, në zonën e Partizanit përfunduan copa plastike të stolave të thyer që u hodhën nga tifozët e Tiranës.

Po ashtu, edhe në rastin kur Telushi do të gjuante penalltinë, tifozët e Tiranës hodhën kapsolla në zonë, ndërsa në rastin e golit të Carës tifozët e kuq u futën në fushë. Policia edhe këtë herë nuk ia doli të garantojë një derbi të qetë. Nuk mungua ndërkohë banderolat thumbuese të tifozëve ndaj njëri-tjetrit.

Nje banderole e tifozeve te Partizanit. Gazeta Si, 6 mars 2023

Për anën sportive duhet theksuar se Partizani e menaxhoi më mirë lojën. Kristian Mba shënoi golin e parë për të kuqtë në pjesën e parë. Tiranës iu anulua një penallti në favor nga VAR-i, si dhe një gol i Hasanit për pozicion jashtë loje.

Bruno Telushi humbi një 11-metërsh të shkaktuar nga Najdovski. Për golin e dytë mendoi Tedi Cara vetëm një minutë pas u fut në fushën e lojës. Kavajasi realizoi pas një gabimi të mbrojtësit Behiraçe. Matondo goditi traversën në fund. Me këtë fitore Partizani i rrëmben vendin e parë Tiranës, edhe pse kanë të njëjtën kuotë pikësh, nga 40 secili. Festë e madhe te të kuqtë dhe zhgënjim te kampionët në fuqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë