Proxhektorët do të drejtohen mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku luhet derbi i dytë sezonal, Partizani-Tirana. Një ndeshje që konsiderohet si ajka e futbollit shqiptar, edhe pse në këtë moment dy skuadrat qëndrojnë në pozita të kundërta sportive. Partizani kryeson dhe deri tani ka bindur se mund të fitojë titullin, ndërsa Tirana është në kërkim të identitetit të saj, pasi rikthimi në Superiore e ka gjetur me të njëjtat halle.
Java e derbit ka nisur me polemika në kampin bardheblu, ku tifozët e Tiranës nuk pranojnë të quhen miq në shtëpinë e tyre, madje grupimi “Tirona Fanatics” ka shpallur publikisht bojkotin e derbit, ndërsa presidenti Refik Halili ka lëshuar mesazhe dashurie për ta, duke i konsideruar më të mirët. Është e qartë: Tirana kërkon të hapë një kapitull të ri, të bëjë kthesën dhe t’i largohet fundit të renditjes që po e mban mbërthyer prej shumë javësh. Derbin e parë e humbi, por tani nuk është më në stol braziliani Ze Maria.

Derbi është shndërruar në një makth për skuadrën e drejtuar tashmë nga Ardjan Mema, i cili ka gjak bardheblu dhe e di shumë mirë çfarë do të thotë kjo ndeshje. Bardheblutë nuk kanë asgjë për të humbur. Përmirësimi i lojës në javët e fundit nuk ka asnjë vlerë, nëse Tirana nuk fiton. Të gjitha “bateritë” do të shakrkohen në këtë 90-minutësh, ku fitorja e mundshme do të kishte vlera të shumëfishta në kampin bardheblu. Trajneri Mema nuk ka në dispozicion vetëm Bedri Grecën të skualifikuar për shkak kartonësh dhe vendin e tij pritet ta marrë maqedonasi Bllazhevski, i rikthyer nga dëmtimi.
Partizani në krahun tjetër nuk ka aspak “mëshirë” për Tiranën, përkundrazi, synon ta fundosë edhe më keq rivalin e përjetshëm, sepse vjen nga një hap fals në transfertën e Vlorës dhe dy gabime radhazi do të prishnin shumë punë, duke e futur edhe ekipin e Gegës në një minikrizë. Trajneri i të kuqve nuk ka në plan të aktivizojë kapitenin Alban Hoxha, siç e pohoi vetë në konferencë shtypi, ku u mundua të shuante edhe çështjen “Trashi”. Portieri i të kuqve qëndroi dy ditë në qeli, pasi drejtonte makinën në gjendje të dehur, dhe nuk është gati për këtë ndeshje. Partizanit i duhen tri pikët për të ruajtur kryesimin, por e di mirë se këtë radhë do të ketë përballë një Tiranë më të karikuar.

Do të jetë një ndeshje nervash dhe në këtë drejtim Partizani është më i favorizuar. Nuk ka ngarkesë psikologjike aq të amdhe sa kundërshtari. Tirana e ka “lakun në fyt” dhe duhet medoemos të tregojë se i ka mbetur diçka nga stofi i një skuadre me fanellë të rëndë…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




