Futboll

Derbi ndërpritet dy herë, sherr në fund dhe feston Partizani

Gazeta Si – Partizani skuq kryeqytetin, duke fituar derbin që zgjati pa fund për shkak të dy ndërprerjeve. Mund Tiranën 0-1 dhe shkëputet në krye të renditjes me 5 pikë tashmë. Kampionët në fuqi marrin një tjetër goditje të fortë, pas humbjes me Teutën. Partizani nuk fitonte në derbin me Tiranën prej një kohe të gjatë. Nuk mund të mungonte sherri në fund.

Për shkak të flakadanëve dhe tymueseve të hedhura në fushë nga tifozët e të dyja skuadrave, ndeshja u ndërpre dy herë. Një herë në fillim të saj për disa minuta, ndërsa ndërprerja më e gjatë ishte pasi nisi pjesë e dytë, kur lojtarët u kthyen në dhomat e zhveshjes për 12 minuta, derisa u largua tymi nga fusha.

Xhuljano Skuka shënoi golin që i dha fitoren Partizanit kur kishin kaluar vetëm 4 minuta. Sulmuesi dibran nuk e refuzoi një dhuratë të mbrojtjes së Tiranës dhe mposhti portierin Bekaj nga afër portës. Fillimi i ndeshjes ishte mjaft i mirë për të kuqtë, të cilët ishin mjaft agresivë.

Tirana e mori veten me kalimin e minutave dhe fitoi terren, por pa mundur ta kërcënonte seriozisht portën e Alban Hoxhës, që në këtë ndeshje u rikthye të mbrojë portën e Partizanit. Xhixha kishte një mundësi të mirë në zonën e Partizanit, por në momentin final një top letre higjenike i hedhur në fushë i prishi gjuajtjen.

Pjesa e dytë pati më shumë raste për shënim nga të dyja skuadrat. Tedi Cara në një rast u ndal nga traversa dhe në një tjetër nga portieri Bekaj. Te Tirana ishte braziliani Patrik që pati një shans shumë të mirë, por gjuajti mbi tra. Skuadra e Shehit tentoi deri në fund, edhe ne shtesën e gjatë, për të barazuar shifrat, por në fund pranoi humbjen.

Feston Partizani, që shkon në 29 pikë tashmë, duke e lënë Tiranën rivale 4 pikë prapa. Një diferencë e konsiderueshme dhe një motiv më shumë për t’i kaluar më bukur festat e fundvitit.

Festa e te kuqve pas fitores ne derbi. Gazeta Si, 21 dhjetor 2022

Nuk ishte e thënë të mungonte sherri as në këtë derbi. Pas përfundimit të ndeshjes, Murataj i Partizanit dhe Aleksi i Tiranës, si në një tjetër derbi, ndezën gjakrat, duke provokuar një përplasje masive mes lojtarëve të dy skuadrave. Murataj tentoi të vendoste një flamur të Partizanit në qendvr të fushës, por Aleksi nuk ishte dakord. Sherr për pak minuta dhe pastaj në dhomat e zhveshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë