Futboll

Derbi londinez në 1/2 finalen e ‘Carabao Cup’

Nga Gazeta “Si” – Chelsea përballet me Arsenal-in në ndeshjen e parë gjysmëfinale të “Carabao Cup” në “Stamford Bridge”.

Blutë u kualifikuan pasi mposhtën Cardiff City-n 3-1 në çerekfinale, ndërsa “Topçinjtë” kaluan Crystal Palace pas ekzekutimit të penalltive.

Kjo është përballja e dytë mes skuadrave këtë sezon, pas barazimit 1-1 në “Stamford Bridge” në muajin Nëntor.

Liam Rosenior e nisi me fitore aventurën e tij si trajner i Chelsea-t, pas triumfit 5-1 ndaj Charlton Athletic në raundin e tretë të “FA Cup”.

Chelsea luajti me formacionin 4-2-3-1 kundër Charlton, por në fazën e ndërtimit të lojës u rreshtua në 3-2-2-3, i ngjashëm me sistemin që Rosenior përdorte te Strasbourg.

Arsenal-i shpreson të korrigjojë zhgënjimin e ndeshjes së fundit ndaj Chelsea-t, ku nuk arriti të fitojë pavarësisht se luajti për pjesën më të madhe të takimit me epërsi numerike.

Të dielën, “Gunners” përmbysën rezultatin për të fituar 4-1 ndaj Portsmouth në raundin e tretë të “FA Cup”.

Sezonin e kaluar, Arsenal u eliminua nga Newcastle United në këtë fazë të kompeticionit dhe këtë herë do të synojë të shmangë të njëjtin fat.

Ballë për ballë
Dy skuadrat janë përballur 8 herë në këtë kompeticion. Chelsea ka regjistruar 4 fitore dhe një barazim, ndërsa 3 ndeshjet e tjera janë fituar nga Arsenal.

Të rejat e fundit
Chelsea nuk do të ketë Moisés Caicedo-n për shkak të pezullimit, ndërsa do të merret një vendim për disponueshmërinë e Malo Gusto-s, Reece James dhe Cole Palmer.
Piero Hincapié, Max Dowman, Riccardo Calafiori dhe Cristhian Mosquera e humbasin këtë sfidë për Arsenalin.

Formacionet e mundshme
Chelsea (4-2-3-1):
Robert Sanchez, Malo Gusto, Wesley Fofana, Trevoh Chalobah, Marc Cucurella, Enzo Fernandez, Reece James, Estevao, Cole Palmer, Pedro Neto, Liam Delap.

Arsenal (4-3-3): Kepa Arrizabalaga, Jurrien Timber, William Saliba, Gabriel, Myles Lewis-Skelly, Martin Zubimendi, Declan Rice, Martin Odegaard, Bukayo Saka, Viktor Gyokeres, Leandro Trossard.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë