Futboll

Derbi kryeqytetas me shtëpi të re

Java e 24 në Kategorinë Superiore starton me ndeshjen më të rëndësishmë të saj, derbin kryeqytetas mes Partizanit dhe Tiranës. Një sfidë që vë përballë skuadrën me numrin më të madh të tifozëve në vend me atë që ka numrin më të madh të titujve kampionë në Shqipëri. Ndeshje e cila për të parën herë do të zhvillohet në “Arenën e Demave” në verilindje të kryeqytetit. Shtëpia e re e derbit është e treta për këtë sfidë që më herët është luajtur në ish “Qemal Stafa” – ish “Air Albania” dhe “Selman Stërmasi”. Këtë herë skuadrat vijnë në situatë të njëjtë sportive por të ndryshme në klasifikim. Largimet e të kuqve i kanë dobësuar shumë ndërsa Tirana është në ujëra të turbullta prej vitit të shkuar kalendarik. Mirëpo në sfida të tilla, dihet që gjithçka mbetet mënjanë dhe ata që zbresin në fushë japin maksimumin për të marrë 3 pikë nga 90 minutat më të rëndësishme të javës. Aktualisht mes tyre qëndrojnë 17 pikë.

Java e 24 në Kategorinë Superiore

Pasditen e të dielës, AF Elbasani pret Egnatian në orën 17:00 dhe paralelisht me të Vllaznia pret Bylis në “Loro Boriçi”. Dy sfida ku kampionët në fuqi dhe vendasit kuqeblu janë dukshëm më të favorizuar për fitoret e rradhës. Të cilat nëse realizohen do të çimentojnë pozicionet e tyre mes 4 të parave. Një humbje e ballshiotëve do ti zhyste ata më poshtë në zonën e ftohtë të klasifikimit. Java plotësohet pasditen e të hënës në Korçë dhe në Durrës. Skënderbeu ka një sfidë direkte me Laçin, ndërsa Teuta pret Dinamo City-n në atë që një sezon më parë konsiderohej “derbi i djemve të detit”. Vendasit në Korçë vijnë pas 3 ndeshjesh pozitive rradhazi dhe një fitore do ti afronte 3 pikë ndaj kurbinasve. Ndërsa durrsakët e Devollit duan të lënë pas 4 humbje rradhazi në kampionat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë