Euro 2020

Derbi i zjarrtë britanik, Çekia kërcënon kroatët me Patrik Shik

“Derbi i Brexit” mes Anglisë dhe Skocisë është ndeshja më e fortë e ditës së sotme në Euro 2020. Skuadra e Southgejt kërkon suksesin e dytë, por nuk do të jetë një shëtitje për të. Po në Grupin D, Kroacisë nuk i lejohet asnjë hap fals në sfidën me Çekinë e Shik. Një ndeshje e rëndësishme është ajo e Grupit E mes Suedisë dhe Sllovakisë.

Rivaliteti më antik në nivelin futbollistik ndërkombëtar është ai mes anglezëve dhe skocezëve. Në 149 vjet dy skuadrat janë ndeshur 114 herë: pas sfidës së parë, – në 1873-shin, në Hamilton Crescent, Glasgow, që përfundoi në barazim, – ka nisur dominimi neto i “Tre Luanëve”, me 48 fitore dhe 25 humbje në të gjitha kompeticionet.

Kejn dhe Robertson, yjet e dy skuadrave. Gazeta Si, 18 qershor 2021

“Një ndeshje speciale”, – ka thënë Southgejt, i cili ka preferuar t’i hedhë ujë zjarrit në lidhje me tensionet e fundit të shkaktuara nga Brexit. “Kundër Skocisë nuk mund të jetë kurrë një ndeshje normale, – ka vazhduar trajneri anglez. – Është një ndeshje me dinamika të ndryshme. Ne duhet të jemi të përqendruar te sfidat që Skocia do të prezantojë në fushë”.

Edhe trajneri skocez, që duhet të reagojë pas humbjes me Çekinë, e ka trajtuar ndeshjen vetëm në perimetrin futbollistik: “Është një ndeshje që ka shumë rëndësi edhe për anglezët, që nuk duan kurrë të humbin kundër nesh, – ka theksuar Klark. – Dua që djemtë të mendojnë thjesht se ndeshja me Anglinë është një nga ato ku duhen marrë pikë për kalimin për herë të parë të grupit në një Europian”.

Edhe pse ka rikuperuar mbrojtësin Meguajër, trajneri Southgejt duket se ka në plan të hedhë në fushë të njëjtin formacion që mposhti Kroacinë. Suksesi në ndeshjen e parë ka konfirmuar parashikimet e bastvënësve lokalë se Anglia është favorite e fortë për titullin.

Patrik Shik, autori i dy golave për Çekinë. Gazeta Si, 18 qershor 2021

Në ndeshjen tjetër të grupit, Kroacia i ka jetike pikët, nëse synon që të kalojë grupin. Çekia vjen pas fitores ndaj Skocisë, ku protagonist ishte sulmuesi Patrik Shik me dy gola. Kroatët janë të paralajmëruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë