Futboll

Derbi i Redon Xhixhës, Tirana ‘sundon’ Partizanin edhe me 10 vetë

Gazeta Si – Për më shumë se 50 minuta Partizani ishte në superioritet numerik në derbi, megjithatë jo vetëm që nuk fitoi, por u mund 0-2. Ishte ndeshja e Redon Xhixhës, autor i të dy golave për kampionët në fuqi, të cilët tashmë i afrohen me 1 pikë rivalit historik.

Në pjesën e parë ndodhi gjithçka që mund të ndodhë në një ndeshje futbolli. Tirana fitoi një penallti me VAR, por Xhixha nuk mundi ta kthente në gol, pasi u ndal nga portieri Rexhepi. Më pas Tirana mbeti me 10 lojtarë, sepse VAR–i konstatoi një karton të kuq për Lulajn si lojtar i fundit.

Atë që nuk bëri nga pika e bardhë, Xhixha e bëri pas një sprinti të shpejtë nga e majta, duke përfituar edhe nga dalja huq e portierit të Partizanit. Sulmuesi i Tiranës gjuajti saktë drejt portës së mbrojtur nga mbrojtësi Sota dhe 0-1.

Në pjesën e dytë Partizani rriti sulmet, por nuk mundi të gjente rrugën e rrjetës. Jo vetëm kaq, po harroi prapavijën dhe në një kundërsulm të shpejtë pësoi edhe golin e dytë. Ishte përsëri Xhixha që mori topin pak jashtë zonës së tij, vrapoi drejt portës së Partizanit dhe tundi rrjetën për herë të dytë.

Dhe të mendosh që trajneri Shehi mund ta kishte zëvendësuar, kur Tirana mbeti me 10 vetë, duke menduar se u godit psikologjikisht nga humbja e penalltisë. Por Xhixha tregoi gjithë potencialin e tij, duke e mundur i vetëm Partizanin.

Të kuqtë treguan se kanë probleme, sidomos në prapavijë. Në ‘Air Albania’ derbit vazhdon t’i sundojë Tirana, që me këtë fitore rikthehet frikshëm me stofin e pretendentes për titull.

Nuk munguan momentet e tensionit. Në pjesën e dytë u godit me sende plastike portieri i Tiranës, Visar Bekaj. Ai u godit nga tifozët e Partizanit, të cilët i kishte pas shpinës. Ndeshja u ndërpre pak minuta, derisa situata u qetësua.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë