Gazeta Si – Derbi i parë sezonal i Milanos luhet sot, në orën 18:00. Interi dhe Milani përballen për herë të parë në histori si dy ekipe kryesuese, pak ditë para se të rishfaqen në Champions. Një sfidë që peshon shumë, edhe pse jemi në fillim të sezonit.
Disa muaj më parë Milano zjente nga gjysmëfinalja e dyfishtë e Championsit. Tani jemi në mes të shtatorit, në fillim të një marshimi të gjatë, që ka një yll në sfond… Ka kuriozitet të madh për të kuptuar se sa ka ndryshuar nga euroderbit te ndeshja e sotme. Atëherë fitonte Interi, por sot?

Inter-Milan është trampolina për Championsin dhe jo vetëm, sepse javën e ardhshme Inzagi dhe Pioli nisin rrugëtimin në grupe. Pas vitesh heshtje, dy skuadrat e Milanos kanë ngritur zërin mes më të mëdhenjve të Europës.
Derbi i sotëm Inter-Milan është një pikënisje drejt një kampionati me objektiv të përbashkët yllin e dytë. Milani ka ndryshuar më shumë këtë sezon, në mesfushë sidomos. Lojtarë si Loftus Çik, Reijnders dhe Pulisiç do të luajnë derbin e parë, ashtu si Somer dhe Turam tek Interi.

Pritet një derbi i ndezur, i bukur, i shpejtë, i hapur, ballë për ballë. Mes dy markash të futbollit modern europian.
Stadiumi është i gjithi i ezauruar për këtë ndeshje dhe do t’i sjellë Interit një arkëtim prej rreth 6.5 milionë eurosh. Vetëm një herë më parë në Serinë A zikaltrit kanë arkëtuar më shumë, më 6 tetor 2019, kur në ‘Meazza’ zbriste Kristiano Ronaldo me Juventusin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




