Gazeta Si – Derbi i fundit i sezonit mes Partizanit dhe Tiranës do të luhet sot në mbrëmje në Elbasan. Është një ndeshje, ku të kuqtë kanë më shumë arsye se Tirana për të fituar. Ata kanë marrë vendin e tretë me dy fitoret e fundit, por nuk duhet ta lëshojnë atë deri në fund, në mënyrë që të shkojnë në Europë. Kjo do të thotë se sot bën punë vetëm fitorja.
Partizani gëzon edhe një formë sportive më të mirë se Tirana, që duke e pasur titullin në ‘xhep’, ka lëshuar jo pak në javët e fundit, duke pësuar dy humbje, ndërsa ndeshja e fundit me Teutën u mbyll në barazim 1-1. Në këtë ndeshje pati edhe një nervozizëm të pashpjegueshëm nga lojtarët e Tiranës, të cilët në fund sulmuan edhe arbitrin.

Tirana është 10 pikë para Laçit të vendit të dytë, kur kanë mbetur edhe 4 javë. Në rasat fitoreje sot në derbi, bardheblutë do të shpalleshin matematikisht kampionë. Ata e kanë shtyrë festën e titullit disa herë dhe me shumë mundësi do ta shtyjnë edhe sot. Trajneri Orges Shehi ka disa mungesa të rëndësishme, siç janë qendërmbrojtësi Najdovski dhe sulmuesit Xhixha e Devid.
Partizani është më i plotë dhe më në formë, plus edhe më i motivuar për pikët maksimale. Megjithatë, në derbi gjithçka mund të ndodhë dhe do të jetë fusha ajo që do të flasë më mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




