Ngjarje

Derbi bllokon kryeqytetin, masat e policisë dhe rrugët e mbyllura

Nga Gazeta Si - Policia e Tiranës ka përgatitur planin e masave për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë derbit të kryeqytetit që luhet sot mes Partizanit dhe Tiranës, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në orën 20:00.

Masat përfshijnë bllokimin e disa segmenteve rrugore për lëvizjen e tifozëve. Bllokimet do të fillojnë nga ora 17:00 dhe do të përfshijnë:

Rrugën “Lek Dukagjini” përreth stadiumit

Rrugën “Dervish Hima”

Rrugën “Gjergj Filipi”

Rrugën “Papa Gjon Pali II” (nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi)

Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”).

– Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, “Libri Universitar”, rruga “Gjergj Filipi”(COIN) – stadium;

– Lëvizja e tifozëve të KF Tiranës do të bëhet nga sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit rruga “Dervish Shima”, rruga “Sheh Ahmet Paza”- stadium.

Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium shtetas pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë