Një rivalitet i hidhur, shekullor, në një nga arenat me të mëdha të lojës, në një kryeqytet tradicional futbolli është ajo çka do te ofrohet, kur Inter e Milan do të ndeshen në stadiumin e tyre të përbashkët. Me më tepër se 50 trofe ndërkombëtarë dhe kombëtare së bashku, të dy klubet mund te thonë me plot gojën se ata përfaqësojnë qytetin me të suksesshëm të Europës, në mos të botes, në futboll. Sigurisht që derbi që do të luhet këtë të djalë (21 shkurt) në orën 15:00, nuk do të jetë një derbi si gjithë të tjerët, pasi në stadiumin San Siro do të mungojnë 80 mijë spektatorët që i japin emocionin dhe spektaklin kësaj sfide, por sërish emri i skuadrave që do zbresin në fushën e lojës flet vetë.

Derbi i së dielës do të jetë ende përplasja e drejtpërdrejtë midis të parit dhe të dytit. Interi për momentin e shikon Milanin nga lart, por me fitore në duelin e radhës, “Djalli” mund ta rikuperojë pozicionin që kishte. Çdo gjë mund të ndodhë, edhe nëse distanca midis të dyve mbetet e pandryshuar për kënaqësinë e ndjekësve të tjerë. Sezoni po hyn në fazat e tij të nxehta, trengjyrëshi nuk është më vetëm një mirazh për zikaltrit dhe kuqezinjtë.
Një derbi i Madoninës me kaq rivalitet për titullin nuk ishte parë prej një kohe. Dy kampionatet e fundit “milaneze” përkojnë me trengjyrëshin e “tripletës” me Mourinho në vitin 2010 dhe me Allegrin vitin e ardhshëm.
LUKAKU VS IBRA
Në plan të parë të derbit do të jenë dy sulmuesit që janë shumë të ngjashëm si në fizik ashtu dhe në lojë, thjeshtë kanë një diferencë shumë të madhe në moshë, Lukaku 27 ndërsa Ibra 39. Simbolet dhe njerëzit kryesorë të Interit dhe Milanit, përballë njëri-tjetrit në derbin e Madoninës. Për ta ndezur më tej konfrontimin shërbeu mosmarrëveshja e “Coppa Italia”, muajin e kaluar. Një përplasje kokë më kokë, që në mënyrë të pashmangshme bëri xhiron e botës. Sepse në duel nuk ishin vetëm dy nga lojtarët më të famshëm, të ndjekur dhe të admiruar, por edhe dy ish-bashkëlojtarë, që luajtën së bashku për disa muaj te Manchester United, por pa ndërtuar një harmoni të shkëlqyer jashtë fushe.

Fjalët e rënda, të lëshuara nga të dy në “San Siro”, 26 janarin e kaluar, ende jehojnë në media dhe brenda mureve të popullit milanez, i cili nesër do të presë përsëri konfrontimin. Ata janë në hetim nga Prokuroria Federale e FIGC, e cila ende nuk ka marrë një vendim për incidentin. Duelin e fundit e fitoi belgu, i cili shënoi penalltinë për 1-1, pasi Zlatan u përjashtua për shkak të kartonit të verdhë të dyfishtë. Suedezi kishte shënuar golin e epërsisë momentale, pastaj e la ekipin e tij me 10 lojtarë. Eriksen përfundoi përmbysjen në kohën shtesë.
Sidoqoftë, në derbin e kampionatit të këtij viti, ishte Ibra, ai që festoi, duke shënuar dopietë, çka e bëri të padobishëm golin e Lukaku. Ish-sulmuesi i Anderlecht dhe Everton, nga ana tjetër, kishte shijuar përballjen e parë derbi në shkurt të vitit 2020, e fundit me tifozët. Një derbi i shënuar nga përmbysja zikaltër në pjesën e dytë, nga 0-2 në 4-2. Përmbysje e “stampuar” edhe nga Lukaku. Ai, gjithashtu kishte shënuar në ndeshjen e parë, 0-2.

Katër derbi të luajtura, katër gola për belgun që kur mbërriti në Milano. Për Ibrën, megjithatë, golat e shënuar janë katër në tri ndeshje. Sidoqoftë, të dy kanë “vulosur” gjithmonë. Me tan ë fushë, derbi fillon nga 1-1. Sidoqoftë, në fron gjithnjë ndërrohen. Asnjëri prej tyre nuk ka arritur ende të imponohet vazhdimisht. Nëse luajnë në fushë, ata trondisin edhe rrjetet sociale. Pas derbit të fituar në shkurt, Lukaku e shpalli veten “mbreti i Milanos” me një postim vetë-urues në Instagram. Në tetor, “mbreti” ishte Zlatan: “Milani nuk ka pasur kurrë një mbret, tani ka një Zot”. Përplasja midis këtyre dy kampionëve e rrisin tensionin e një derbi, tashmë elektrik, më i rëndësishmi i dekadës së fundit. Padyshim, nuk duhet humbur supersfida e së dielës…

HISTORIKU
Një rivalitet i hidhur, shekullor, në një nga arenat me të mëdha të lojës, në një kryeqytet tradicional futbolli është ajo çka do te ofrohet, kur Inter e Milan do të ndeshen në stadiumin e tyre të përbashkët, më 9 shkurt. Me më tepër se 50 trofe ndërkombëtarë dhe kombëtare së bashku, të dy klubet mund te thonë me plot gojën se ata përfaqësojnë qytetin me të suksesshëm të Evropës, në mos të botes, në futboll.

Historia zë fill me 1899, kur anglezi, Alfred Edwards themeloi Milan Cricket and Football Club, për patriotët e tij dhe milanezët e pasur, të cilët takoheshin për kokteje në American Bar në qytet. Ndërsa klubi evoluoi ne Milan FC, influenca britanike ishte kaq e fortë, sa që anëtarët e tij italianë dhe zviceranë u mblodhën në restorant “Orologio” me 9 mars 1908 dhe ranë dakord të largoheshin e të themelonin klubin e tyre. Duke i bere jehonë natyrës shumëkombëshe të grupit te tyre, ata vendosen ta quanin klubin Internazionale. Në këtë mënyrë mori jetë një nga rivalitetet më të mëdhenj të futbollit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




