Ngjarje

Der Standard: Kampi i Gjadrit, Meloni provon sërish… këtë herë me kriminelë

“Të internuarit janë të dëshpëruar, tashmë tre prej tyre kanë dëmtuar veten. Qeveria italiane po përpiqet sërish të mbushë kampet e saj të dëbimit në Shqipëri. Në vend të refugjatëve me varka, Roma tani ka dërguar edhe emigrantë kriminelë".

Nga Gazeta Si- “Shumica e emigrantëve nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte me ta, ata u zgjuan në qelitë e tyre gjatë natës nga e enjtja në të premte, u vunë në pranga dhe u transportuan me autobus për në qytetin portual të Brindisit në jug të Italisë. Vetëm në port u pa se do t’i çonin në kampet italiane të dëbimit në Shqipëri dhe kjo është pikërisht ajo që ndodhi”. Kështu e nis reportazhin për emigrantët në Gjadër gazeta gjermane “Der Standard” me gazetarin nga Roma Dominik Straub.

Ai shkruan se emigrantët u morën në bordin e anijes detare Libra në portin e Shëngjinit dhe prej andej në kampin e dëbimit të Gjadrit, rreth 20 kilometra larg.

Sipas mediave italiane, të arrestuarit e transferuar në Shqipëri nga autoritetet italiane janë emigrantë nga Maroku, Tunizia, Algjeria, Nigeria, Egjipti, Pakistani, Bangladeshi, Gjeorgjia dhe Moldavia.

Para se të transferoheshin në Shqipëri, 40 emigrantët u internuan në qendra të ndryshme deportimi në të gjithë Italinë.

Der Standard shkruan se disa prej tyre kishin kryer më parë vepra penale ku pesë ishin dënuar për përdhunim, një për vrasje në tentativë dhe disa të tjerë për vjedhje, krime të tjera pronësore dhe kundërshtim ndaj autoritetit shtetëror.

Të tjerët, megjithatë, nuk kanë pasur asnjë konflikt paraprak me ligjin, por e përbashkëta e të gjithëve është se nuk kanë leje qëndrimi në Itali dhe kanë marrë një urdhër largimi. Tani ata do të deportohen nga Shqipëria në vendet e tyre të origjinës brenda një maksimumi 18 muajsh.

Kostoja prej një miliard eurosh

Transferimi, që opozita italiane e quan deportim, i 40 emigrantëve që kërkohen për t’u larguar nga Italia në Shqipëri është përpjekja e katërt e qeverisë së Giorgia Melonit për të vënë në funksion kampet e dëbimit, të cilët tashmë u kanë kushtuar taksapaguesve italianë rreth një miliardë euro.

Të dyja qendrat janë rezultat i një marrëveshjeje dypalëshe për emigracionin midis Romës dhe Tiranës dhe ekzistojnë që nga vjeshta 2024.

Deri më tani, të tre përpjekjet e qeverisë për të transferuar azilkërkuesit në kampet e dëbimit në Shqipëri dhe për t’i nënshtruar një procedurë të përshpejtuar azili që zgjat maksimumi 30 ditë, kanë dështuar për shkak të kundërshtimeve nga gjykatat italiane.

Der Standard shkruan se me përpjekjen e saj të re për të internuar emigrantë në Shqipëri, Meloni po braktis pjesërisht qëllimin fillestar të kampeve.

Fillimisht, qendrat e dëbimit ishin të destinuara ekskluzivisht për refugjatët meshkuj nga vendet e sigurta të origjinës, pa asnjë perspektivë për një vendim pozitiv për azilin.

Në fakt, të gjithë emigrantët e sjellë në Shqipëri fillimisht u kapën nga roja bregdetare italiane në det të hapur dhe u dërguan në kampet ekstraterritoriale pa kaluar nga Italia. Qëllimi i qeverisë ishte të siguronte që emigrantët të mos shkelnin kurrë në tokën italiane.

“Nga ana tjetër, “mysafirët” e rinj të kampeve janë ekskluzivisht njerëz që kanë qenë tashmë në Itali”.

Vetëdëmtimi në kamp

Qëllimi i ri i kampeve u bë i mundur me një dekret të qeverisë në Romë më 28 mars.

“Nëse ndryshimi i përdorimit është rënë dakord me qeverinë shqiptare dhe nëse do t’i rezistojë shqyrtimit nga gjykatat italiane, mbetet për t’u parë”, shkruan gazeta gjermane.

Eurodeputetja italiane socialdemokrate Cecilia Strada kritikoi prangosjen e të prekurve dhe faktin që atyre deri më tani u është mohuar aksesi me avokatët e tyre.

“Të internuarit janë të dëshpëruar, tashmë tre prej tyre kanë dëmtuar veten. Politikani Alessandro Zan, i bëri thirrje kryeministrit Meloni që “të ndalojë së imituari mikun e saj Donald Trump dhe të pranojë dështimin e modelit shqiptar”, shkruan Der Standard.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë