Drejtësia

Deputetja e PS Olta Xhaçka paraqitet në SPAK

Gazeta Si – Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka është paraqitur mëngjesin e kësaj të marte në SPAK, ndërsa nuk dihen arsyet e thirrjes së saj.

Kjo nuk është hera e parë që Xhaçka paraqitet në organin e akuzës, pasi më herët ka qenë lidhur me denoncimin e bërë ndaj saj për përfitimin e pronave në bregdet nga burri i saj gjatë kohës që ishte ministre, çështje për të cilën SPAK nuk gjeti shkelje.

Më 5 gusht të vitit 2023, Beleri bëri një kallëzim në SPAK, ku akuzonte kryebashkiakun në detyrë të Vlorës asokohe, Jorgo Goro, biznesmenin Gaçi dhe ish-ministren Xhaçka pë “falsifikim dokumentash” dhe “shpërdorim detyre”.

Beleri pretendonte se një pronë prej 5512 m2 ishte tjetërsuar nëpërmjet falsifikimit të dokumentave dhe më pas ishte blerë nga biznesmeni Gaçi, i cili përfitoi edhe statusin investitor strategjik.

Lidhur me këtë, u thirrën në SPAK Jorgo Goro dhe Artan Gaçi, ndërsa u sekuestrua në bashkinë e Himarës i gjithë dokumentacioni i nevojshëm.

Më 25 tetor 2023, 5512 m2 truall në pronësi të Artan Gaçit, u vendos nën sekuestro preventive nga Prokuroria e Posaçme. Sipërfaqja në fjalë, mësohet se ishte pjesë e tokës që Gaçi kishte fituar statusin e investitorit strategjik.

Kjo çështje po ashtu ka qenë herë pas here shkak për akuza nga ana e opozitës, që asokohe kërkoi heqjen e mandatit të Xhaçkës si deputete.

Ndërkohë, Xhaçka theksonte se bashkëshorti i saj nuk kishte marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e një pjese të kantierit të investimit, është bërë për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994.

Në përditësim…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë