Deputetja e Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës, Elda Hoti rrezikon të humbasë mandatin e deputetit, nëse vërtetohet se ajo ka fshehur ndryshimin e emrit të babait të saj në formularin e dekriminalizimit.
Në mënyrë krejt të beftë, ndaj emrit të saj është depozituar një ankesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga shtetasi Llesh Nikolli, i cili pretendon se disponon dokumentet që babai i deputetes ka ndryshuar emrin nga David në Artan Hoti dhe ky ndryshim nuk është reflektuar nga deputetja
Ankimi është bërë në adresë të kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, ndërsa për dijeni i është dorëzuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, drejtuesit të SPAK si edhe ambasadoreve të SHBA dhe BE në Tiranë.
“Kjo deputete në vetëdeklarimin e saj ka fshehur ndryshimin e emrit të babait të saj nga David Hoti, në Artan Hoti. Ky ndryshim është bërë më datë 30 prill 2002 dhe kandidatja për deputete znj. Elda Hoti nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Duke fshehur këtë të dhënë te gjeneralitetet e saj, znj. deputete nuk mund të përfaqësojë komunitetit të saj në parlamentin shqiptar. Kjo deputete përse e ka fshehur këtë ndryshim, e ka harruar, apo babai i saj ka pasur një të shkuar kriminale ku është dënuar për disa vepra të rënda penale, si ajo e trafikimit të lëndëve narkotike dhe trafikim të qenieve njerëzore” thuhet në akimimin e dorëzuar në KQZ, ku pretendohet se deputetja Elda Hoti ka shkelur ligjin për dekriminalizimin dhe konsumuar vepër penale.
Ankesa është dorëzuar në KQZ para një jave dhe protokolluar tre dite me pare.
Elda Hoti është deputetja e cila mori mandatin e deputetit Mark Marku, kur ky i fundit dha dorëheqjen.
Nuk dihet se pse kjo ankesë ndaj emrit të saj vjen në këtë kohë, kur Elda Hoti është deputete qysh prej vitit 2019, dhe a do të shërbejë si precedent edhe për ndonjë rast tjetër i përfolur deri më tani.
Për ndryshimin e të dhënave bazë të gjendjes civile dhe mosdeklarimin e këtyre ndryshimeve në formularin e dekriminalizimit, është akuzuar edhe deputeti Sali Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.