Drejtësia

Deputeti socialist Plarent Ndreca, në GJKKO për dosjen e korrupsionit me tenderët në polici

Gazeta Si – Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca është paraqitur këtë të enjte në GJKKO për të zhvilluar seancën paraprake ndaj tij, në të cilën është marrë i pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tenderë”.

Ndreca, së bashku me disa ish-zyrtarë të tjerë, akuzohet për shkelje ligjore të ndodhura gjatë kohës që ai mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve në disa qytete të vendit.

Hetimi ndaj Ndrecës nisi pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.

Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tenderë.

Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.

Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë