Drejtësia

Deputeti i PS, Xhemal Qefalia në SPAK për ’21 Janarin’ (politikani i parë që thirret): U pyeta si protestues

Gazeta Si - Deputeti i PS, Xhemal Qefalia bëhet politikani i parë që paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK për dosjen e "21 Janarit".

Pasi ka qëndruar rreth 30 minuta, Qefalia doli dhe deklaroi shkurtimisht se është pyetur si një protestues pa dhënë më shumë detaje.

“Shpresoj të zbardhet '21 janari', pasi ka 4 viktima. U pyeta si një protestues", tha deputeti socialist.

Qefalia është politikani i parë që thirret në SPAK për të dëshmuar si person në dijeni të ngjarjeve dhe fakteve në pritje të funksionarëve të tjerë të asaj kohe që mund të dëshmojnë në ditët në vijim.

Në korrik të këtij viti, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dëshmoi për 3 orë në Prokurorinë e Posaçme, duke deklaruar se do të praqitej sa herë të thirrej.

Në javët e fundit, kanë dëshmuar në SPAK dy ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj (kreu i Policisë së Shtetit në atë kohë) dhe zëvendësi i tij, Agron Kuliçaj.

I pari u shpreh se kishte zbatuar ligjin, ndërsa i dyti nuk tregoi më shumë për mediat, sipas tij në ruajtje të sekretit hetimor.

SPAK rihapi një prej çështjeve më të diskutuara të kronikës, por edhe politikës, duke regjistruar hetim penal për vrasjen e Aleks Nikës, si edhe plagosjen e Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papës gjatë protestës së dhunshme të vitit 2011 para kryeministrisë, ku mbetën të vrarë 4 persona.

Në kallëzimin e shkurtit 2023, që nuk u regjistrua nga SPAK, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli i Posaçëm, e veja e Aleks Nikës kallëzoi për “vrasje” dhe “grup kriminal” ish-kryeministrin, Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha dhe ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi.

Familjarët e Nikës pretenduan se zotëronin një audio-përgjim të komunikimeve të Gardës gjatë momenteve të protestës, ku flitej për hapje zjarri.

Këtë material e dorëzoi në SPAK gazetari Artan Hoxha. Sipas tij, materiali i siguruar prej tij ishte regjistruar me një diktofon nga një person që ditën e ngjarjes kishte akses në kanalin ku komunikonin vetëm drejtuesit e Gardës.

Pas administrimit, kjo provë pritet t’i nënshtrohet akt-ekspertimeve teknike për autenticitetin e më pas për identifikimin e personave të përfshirë.

Më 21 janar 2011, në protestën e socialistëve në bulevard, asokohe në opozitë, u vranë 4 persona: Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Partia Socialiste e cilësoi krim shtetëror dhe kërkoi nisjen e hetimeve për të vënë drejtësinë në vend. Për ngjarjen, Gjykata e Tiranës dënoi ish-komandantin e Gardës Andrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo

Ndërkohë prej disa muajsh, SPAK ka rihapur hetimet për “21 Janarin”, me vendim të Gjykatës së Lartë, e cila ka pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave për rishqyrtim të dosjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë