Politike

Deputeti i PS: Baza e Kuçovës mund të trajnojë pilotët ukrainas. Si mund të ringrihet industria e prodhimit të armëve në vend

Denis Deliu, deputet i Partisë Socialiste, ish-ushtarak, foli për samitin e Ukrainës në Tiranë dhe vizitën e Zelensky-t. Ai u shpreh se baza e Kuçovës mund të përdoret për të trajnuar pilotët ukrainas.

“Ukraina ka nevojë sot edhe për një plumb të vetëm. Shqipëria mund të japë një kontribut shumë të madh në trajnimin e forcave speciale dhe komando, pasi forcat e saj kanë një eksperiencë shumë të madhe.

Po rishikohet idea dhe në samitet e tjera të NATO-s, në Poloni do të trajnohen trupa sepse kanë rezultuar shumë të suksesshme. Të pakta në numër, forcat speciale ukrainase kanë bërë shumë dëme.

Baza ajrore taktike do të shërbejë si garanci për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, por nëse NATO do të vendosë për trajnimin e pilotëve ukrainas dhe nëse NATO vendos për mbështetjen e Ukrainës me avionë luftarakë F-16, unë mendoj se kjo bazë mund të shërbejë për t’i trajnuar ata, por jo që të ngrihen avionë, pasi atëherë NATO do të ishte në luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë”, tha Deliu në Debat në A2CNN.

Po ashtu në lidhje me kërkesën e Zelensky-t për të bashkëprodhuar municione për Ukrainën, Deliu tha se në Shqipëri mund të ringjallet kjo industri që ka pushuar prej shumë vitesh.

Ai tha se mund të jenë biznesmenë shqiptarë, por edhe ukrainas që mund të bëhen pjesë e këtij investimi, po ashtu mund të ketë edhe mbështetje nga NATO.

“Më besoni, ju flas si ish ushtarak. Në fushë betejë është i rëndësishëm edhe një fishek. Një ushtar që nuk e ka edhe atë fishek është humbje jete dhe nëse e ka i merr jetën kundërshtarit. Zelensky kërkoi mbështetje në këtë drejtim edhe nga vendet e vogla, pasi ka hezitim nga shtetet e mëdha”, tha Deliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë