Drejtësia

Oerd Bylykbashi në SPAK si kallëzues: Dhashë provat e PD për ‘Eco Park’-un

Gazeta Si – Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka qenë sot në SPAK, siç tha ai në cilësinë e kallëzuesit të PD në lidhje me aferën e “Eco Park”.

Kështu konfirmoi vetë deputeti demokrat pas daljes nga SPAK, ku qëndroi për gati dy orë. Në një deklaratë për mediat, ai tha se kallëzimi për këtë çështje është bërë nga një grup deputetësh demokratë që në mars të vitit 2024, ndërsa hetimet janë drejt fundit.

“Është një kallëzim që është bërë në mars 2024 dhe që është bashkuar me një procedim që ka nisur më herët nga SPAK. Isha thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi faktet. Unë jam një nga kallëzuesit,është një grup deputetësh i PD. Për këtë çështje isha sot. Duke filluar nga kryeministri Rama kallëzimi është publik, ne kemi bërë konferencë. Është një çështje që kemi denoncuar në atë kohë, është aferë e pastër korruptive. Është kontraktuar për 19 mln euro që më pas një kompani e lidhur me atë të inceneratorëve e ka bërë për 6.5 mln euro. Pra janë vjedhur 12,5 mln euro të shqiptarëve. Mbi bazën e ati kallëzimi dhe sot isha në këtë cilësi”.

I pyetur nëse kanë përfunduar hetimet për këtë çështje, Bylykbashi i qëndroi deklaratës së kreut të SPAK.

“I referohem Dumanit, që është në përfundim hetimi dhe dua të respektoj sekretin e hetimeve. Kallëzimi është i deputetëve të PD dhe prek direkt zonën zgjedhore Durrës dhe kam pasur interes”.

Ai u pyet në lidhje me çështjen e ‘21 janarit’, për të cilën kreu i PD Sali Berisha ka marrë një fletëthirrje. Bylykbashi deklaroi se një njoftim i tillë nuk i ka ardhur, edhe pse në atë kohë ishte pjesë e kabinetit të Berishës në Kryeministri.

“Jo nuk kam asnjë ftesë, për më tepër që atë ditë unë nuk kam qenë në Shqipëri”, u shpreh demokrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë