David Amess, një deputet konservator britanik 69-vjeçar, ka humbur jetën, pasi u godit me thikë “në mënyrë të përsëritur” ndërsa takonte zgjedhësit e tij elektoralë në një kishë në Essex, Kisha Metodiste Belfairs në Leigh-on-Sea, Britani e Madhe.
Sipas raporteve të para të televizionit “Sky News”, të cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, parlamentari u godit me thikë nga një burrë që hyri në takim dhe e sulmoi atë.
Amess iu nënshtrua trajtimit mjekësor në vendin ku u qëllua me thikë, por pas pak orësh ka ndërruar jetë. Autori i krimit u arrestua dhe policia tha se “nuk po kërkonte të dyshuar të tjerë”. Për momentin nuk dihet saktësisht arsyeja e incidentit, ndërkohë që zona përreth kishës u rrethua nga policia.
Amess, 69 vjeç, u zgjodh për herë të parë në Parlament në vitin 1983. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, deputeti në faqen e tij të internetit, thekson “mirëqenien e kafshëve dhe çështjet pro-jetës” midis interesave të tij.
Amess, i dekoruar më parë me titullin kalorës dhe titullin Sër, ishte një veteran i Parlamentit Westminster dhe ka qenë ulur në Dhomën e Komuneve për 38 vjet, megjithëse ai kurrë nuk ka mbajtur ndonjë post qeveritar.
Sidoqoftë, ai ishte protagonist i fushatave të ndryshme legjislative, ndër të tjera për futjen e rregullave për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve. I martuar dhe baba i 5 fëmijëve, ai ishte një mbështetës i Brexit dhe votoi për të lënë BE në referendumin e vitit 2016.
Lajmi për goditjen me thikë shkaktoi reagime të menjëhershme, me mesazhe ngushëllimi për Sir David dhe familjen e tij të shprehura nga anëtarët e qeverisë së Boris Johnson, grupit konservator në Parlament dhe parti të tjera.
Ngushëllime pati edhe nga ish-kryeministri konservator David Cameron, ndër të tjera, si dhe nga nënkryetarja e opozitës laburistë, Angela Rayner.
Ky është deputeti i tretë britanik që është goditur me thikë në 10 vitet e fundit. Në vitin 2010 ishte Laburisti Stephen Timms, i cili u plagos me dy goditje me thikë, ndërsa në vitin 2016 ishte radha e Jo Cox: të dy u sulmuan si Amess gjatë takimeve në zonat e tyre përkatëse.
Në vitin 2000, një asistent i deputetit Liberal-Demokrat, Nigel Jones u vra, i cili i doli përpara autorit pikërisht për të mbrojtur shefin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




