Nga Gazeta ‘Si’– Deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, nuk do të marrë pjesë në primaret e PD.
Xhaferaj u shpreh se e ka marrë këtë vendim për shkak të qëndrimeve të tij kundër procesit, të cilin e konsideron përçarës dhe jo bashkues për demokratët.
Me këtë vendim, Xhaferaj heq dorë jo vetëm nga kandidimi në primare, por edhe nga mundësia për të qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme.
Ai është deputeti i dytë i PD-së që tërhiqet nga gara e primareve, pas Helidon Bushatit, i cili gjithashtu vendosi të mos rikandidojë.
I pyetur për këtë në një konferencë për media kreu i PD Sali Berisha tha se liria është e drejta e zgjedhjes.
“Së pari unë shpreh konsideratat e tyre për dy deputetët, rolin e tyre, kontributet e tyre të pamohueshme në PD dhe garantoj se, unë bashkëpunimin me ta sot dhe në të ardhmen e konsideroj të çmuar. Po kështu, edhe për cilindo që merr këtë veprim.
Këta dy deputetë dhe të tjerë kanë pasur dhe kanë besimin e plotë të Sali Berishës, por një gjë, e kam përsëritur dhe dua ta përsëris; edhe në thellësitë e territ të diktaturës, për mua liria ka qenë e drejta për të zgjedhur atë që do individi. Thelbi i lirisë është e drejta e zgjedhjes dhe për fat të mirë e kam shkruar dhe në atë kohë kur filozofia ekzistencialiste konsiderohej një nga më reaksionaret e kohës. Por unë i besoj atij parimi”, u shpreh Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




