Që deputetët shqiptarë janë më shumë të përqendruar tek politika e ditës duke akuzuar kundërshtarët nuk është vetëm perceptim i atyre që ndjekin nga televizori herë për hall dhe herë me dëshirë punimet në seancë plenare të Kuvendit të Shqipërisë çdo të enjte.
Instituti i Studimeve Politike publikoi së fundmi raportin vëzhgues mbi punimet e sesionit parlamentar që lamë pas. Bëhet fjalë për periudhën janar-korrik 2018, periudhë e monitoruar nga stafi i këtij instituti dhe në bazë të këtyre vëzhgimeve është ndërtuar raporti.
E thënë me fjalë më të thjeshta, raporti vëren që në krye të tij se “deputetët bënë shumë llafe, por pak punë”.
“Numri i akteve parlamentare të miratuara gjatë sesionit të fundit është më i vogël sesa numri i akteve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar: përkatësisht 182 më 2017 dhe 129 më 2018, pavarësisht se viti 2017 ishte vit zgjedhor dhe Kuvendi funksionoi deri në maj. Numri i ligjeve
të miratuara ka rënë 13%”, thotë ISP.
Jo vetëm sasia, ISP vëren se ka munguar edhe cilësia e nismave ligjore të ndërmarra.
“Ky sesion pati vetëm dy nisma ligjvënëse nga deputetët, të gjitha nismat e tjera ishin kolektive në emër të Këshillit të Ministrave apo Grupeve Parlamentare. Asnjë prej ligjeve të miratuara gjatë 2018 nuk përbën bazën për një reformë sektoriale”, thuhet më tej.
Një tjetër shqetësim është diktimi i agjendës parlamentare nga pushteti ekzekutiv. Kuvendi, thotë ISP, nuk shënoi progres në funksionin kushtetues të kontrollit mbi qeverinë.
“Pushteti ekzekutiv vijoi të imponojë agjendën parlamentare dhe votën politike në Parlament. Pati raste kur ministrat nuk përmbushën detyrimet e Rregullores së Kuvendit dhe Statusit të Deputetit”, citon raporti.
Nga vëzhgimi i këtij instituti vërehet “konsumimi” i një grushti deputetësh të angazhuar në 2-3 çështje njëkohësisht për të mbuluar mungesën e profesionalizmit dhe aftësisë të pjesës tjetër të ligjvënësve në sallë, ndërkohë që janë gjetur edhe raste të shkeljes së rregullores.
“Një pakicë deputetësh u mbingarkua me angazhime ndërkohë që një pjesë e madhe e deputetëve patën aktivitet formal e procedural. ISP konstatoi disa raste të shkeljes së Rregullores me deklarime fiktive të pjesëmarrjes, si dhe problematika e mangësi të tjera teknike e organizative”, deklarohet në raportin e ISP.
Deputetët më efikasë janë nga Komisioni i Ekonomisë, përkatësisht Erion Braçe nga PS dhe Jorida Tabaku nga PD. Deputetët më efektivë janë ata të qarqeve Vlorë dhe Fier, ndërsa më pak efektivë qarqet Shkodër e Lezhë.
Raporti thekson se një e treta e seancave parlamentare u zhvilluan në kushte jonormale për shkak të konfliktualitetit politk.
Numri i deputetëve që nuk kanë mbajtur fjalime as në seanca dhe as në komisioni është reduktuar në krahasim me sesionet e kaluara, por mbetet sërish i lartë. Plot 17 ligjvënësve nuk u është ndjerë zëri as në seancë dhe as në Komisionet Parlamentare, qofshin këto të përhershme apo të posaçme.
Në total janë mbajtur mbi 600 fjalime, ku më pak se 10 për qind e tyre kanë patur në qendër taksat dhe investimet, ndërsa pjesa tjetër është përqendruar tek politika ditore, akuzat reciproke dhe reforma në drejtësi.
“Rezulton se prioritetet kryesore dhe problematikat me interes publik morën vëmendje minimale nga deputetët dhe Kuvendi”, vëren raporti.
Në gjithë këtë zymtësi të aktivitetit parlamentar, raporti konfirmon një të dhënë pozitive.
“Gratë deputete vijojnë të jenë më aktive dhe më efektive në aktivitetin parlamentar sesa deputetët meshkuj. Diferenca e këtij sesioni ishte 12 për qind”, thuhet në gjetjet e raportit.
Shqetësim mbetet ende vota politike në bllok, ku në radhët e mazhorancës ka qenë më e theksuar. Në total janë 31 besnikë në grupin socialist, që kanë votuar pro në të gjitha aktet parlamentare.
“Numri i rasteve të votës personale kundër ose abstenim me atë të partisë mbetet simbolik (2-3 raste të veçuara). Në PS 31 deputetë morën pjesë 100 për qind në seanca dhe votuan pro 100% të gjitha aktet, kurse 98% e opozitës ka respektuar në 100% të rasteve vendimin politik për bojkot votimi në Kuvend. Këto të dhëna janë tregues i pushtetit të madh që kanë partitë dhe liderit politikë në vendimmarrjen e deputetëve”, vëren raporti.
Ka edhe një shkrirjeje mosnjohjeje të ligjeve dhe neglizhimi në bashkëpunimin mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Raporti thotë se të gjitha bashkitë e vendit, Prefekturat dhe Qarqet, iu përgjigjen ISP se nuk kanë njohur dhe as aplikuar detyrimet ligjore për të informuar mbi axhendat mujore lokale deputetët e zonës.
Burimi kryesor i konfliktualitetit politik në Kuvend mbeten kryetarët e partive, ndjekur nga politikanët e tjerë kryesorë të grupeve parlamentarë. Risi është gjetja se më aktivë për denoncimin e problematikave të zonave të tyre elektorale janë deputetët e zgjedhur në 2017.
Pjesë e monitorimit të imtësishëm kanë qenë edhe komisionet parlamentare. Edhe këtu, thotë raporti, është reflektuar klima e ndezur e seancave plenare, ku kryetarët e komisioneve devijojnë nga rendi i ditës dhe përplasen me akuza dhe kundërakuza me nënkryetarët, që janë të kaheve të kundërta politike.
Raporti përshëndet miratimin e Kodit të Sjelljes, por jo zbatimin e tij nga deputetët.
“Instrumentet monitoruese të Kodit nuk janë jetësuar ende dhe në përgjithësi, deputetët bënë shumë pak për të reflektuar e paraqitur standarde më të larta. Monitorimi tregon se shkelësit kryesorë të Kodit të Sjelljes janë drejtuesit politikë të partive politike dhe të grupeve parlamentare në mazhorancë dhe në opozitë”, thuhet aty.
Vërehet gjithashtu se pavarësisht interesit dhe gatishmërisë së shfaqur, Kuvendi nuk ka shmangur rastet e konfliktit të interesit të deputetëve në shqyrtimin dhe votimin e ligjeve dhe as për verifikimin e pasurisë, apo rasteve spekulative që lidhen me përfitimet e pamerituara financiare të deputetëve.
Raporti thekson nevojën dhe emergjencën për të ndërhyrë në rishikimin e rregullores dhe ligjit mbi statusin e deputetit, ndërkohë që përpjekjet për transparencë nuk e kanë krijuar ende një sistem të plotë dhe efikas në këtë drejtim. ISP thotë se Një numër aktesh të Kuvendit, dokumente dhe të dhëna me rëndësi publike, - pjesë e detyrimit për publikim, - ndryshe sa detyron Rregullorja e Kuvendit, nuk janë ende online në dispozicion të publikut.
Duke u ndalur tek komisionet e pavarura, raporti nxjerr në pah elementët që bllokuan punimet në komisionin e famshëm hetimor të ngritur për të hetuar rastin e Saimir Tahirit.
“Objekti i punës së Komisionit u devijua nga tri zhvillime politike të ditës. E para, dalja në skenë e problematikës lidhur me Ministrin e Brendshëm Xhafaj dhe dosjes penale të vëllait të tij solli zhvendosje të aksionit politik të opozitës; e dyta, dorëheqja nga mandati parlamentar i ish-ministrit Tahiri zhvleftësoi interesin politik të opozitës lidhur me dosjen hetimore ndaj tij, si dhe e treta, mazhoranca e përdori Komisionin për të kërkuar hetime të thelluara në vite për trafikun e drogës, madje duke e zhvendosur tërësisht agjendën e Komisionit nga hetimi tek rasti Tahiri tek hetimet gjatë qeverisjes së demokratëve”, thotë ISP.
Shkeljet e rregullores janë të shumta, por ato më të bujshme renditet edhe pjesëmarrja e deputetëve në më shumë se 2 komisione të përhershme, maksimumi që iu lejohet sipas rregullores. Janë të paktën tri raste kur deputetët e mazhorancës kanë marrë pjesë njëherësh në tri komisione të përhershme parlamentare. Konkretisht, Ilir Beqja, Klodiana Spahiu dhe Eglantina Gjermeni kanë marrë pjesë në tri komisione parlamentare, ku në dy komisione janë anëtarë të përhershëm dhe në të tretin janë anëtarë zëvendësues.
“Për shkak se disa prej këtyre deputetëve kanë bërë pjesë edhe në komisione të posaçme parlamentare, komisione hetimore ose komisione Ad-Hoc, rezulton se shpërndarja e përgjegjësisë midis deputetëve është jo proporcionale, dhe se përdorimi i të njëjtëve deputetë për më shumë se 2-3 angazhime parlamentare, është tregues edhe i krizës në përfaqësim dhe i faktit se një pjesë e deputetëve përdoren si kompensim për mungesat e aftësive profesionale dhe politike të pjesës tjetër të deputetëve”, thuhet në raport.
Një tjetër problematikë, që ISP thotë se e ka ngritur si shqetësim që në raportin e parë monitorues, është ajo e deklarimit të vendbanimit. Një pjesë e deputetëve e deklarojnë sikur banojnë në rrethe, duke përfituar kështu pagesa ekstra nga Kuvendi në mënyrë të paligjshme.
Sa i takon pasurisë, ISP rithekson se në një pjesë të deklaratave të deputetëve janë vënë re parregullësi të qenësishme.
“Është e pakuptueshme sesi deklaratat e pasurisë ndër vite nuk janë parë as në aspektin formal të deklarimit ligjor nga Kuvendit, nga grupet parlamentare dhe as nga institucioni përgjegjës për verifikimet vjetore të pasurisë së zyrtarëve të lartë”, theksohet në raport.
Një tjetër problematikë vërehet tek ushtrimi i funksionit parlamentar. Raporti thotë sse ka patur raste kur janë shprehur kritika për ndryshime të minutës së fundit tek ligjet që shtrohen për votim. Mes tyre kujton ligjin për Teatrin Kombëtar.
Raporti flet për një qëndrim me dy standarde karshi komisioneve parlamentare, kryesisht nga ministrat e kabinetit qeveritar, që kanë refuzuar pjesëmarrjen në seanca dëgjimore në komisione, ose që gjatë seancës plenare kanë mbajtur një qëndrim tjetër nga ai i deklaruar në komisionin parlamentar përkatës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.