Politike

Deputetët e rinj debat në KQZ, Lulzim Bashës i hiqet mandati

Dhënia e gjashtë mandateve të deputetëve të rinj të Parlamentit shkakton debate mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kur dukej një procedurë rutinë, KQZ-ja ka ngecur pikërisht te lista e Tiranës, në zëvendësimin e mandatit të Gent Strazimirit me atë të Majlinda Halilajt. Pikërisht përfaqësuesi i PR-së në KQZ, Arjan Madhi ka kërkuar të njihet me procedurën që është ndjekur për 11 vakancat, nëse është zbatuar kriteri i parimit të kuotës gjinore. Kjo ka bërë që menjëherë të hidhet për diskutim se pse zëvendësimi i listës nis me numrin nëntë listës dhe jo me numrin 1, ku rendituri kryedemokrati Lulzim Basha për qarkun e Tiranës.
Administrata e KQZ-së ka bërë ditur se kjo praktikë është ndjekur edhe kohë më parë, pasi janë përcaktuar përkimi i mandateve të personave që i zëvendësojnë në rast të dorëheqjeve.

“Unë thashë se dorëheqjet e paraqitura janë të pavlefshme në kuptim të ligjit. Në objektin e vendimit përmendet i dorëhequri një deputet, dhe krijohet përshtypja dhe i lihet në mënyrë të panevojshme, në teori komploti naive, sepse nuk ka pse te zëvendësohet Strazimiri kur duhet të vendoset i pari me Lulzim Basha. E thashë me dëshirën e mirë dhe me kujdesin të mos e përfshijmë institucionin në teori naive, ne jemi burokratë të ligjit, deputet për arsye kanë dhënë dorëheqjen, zëvendësimi duhet të fillojë nga numrat nëse nuk i qëndrojmë emrave”, deklaroi nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba.

Nënkryetari i KQZ-së Denar Biba

Drejtoresha juridike e KQZ-së theksoi se institucioni jep mandat, nuk konfirmon heqje mandati, atë e ka bërë Kuvendi. “Është përcaktuar paraprakisht radha për 11 kandidatët pasues”, theksoi drejtoresha juridike. Anëtari Bledar Skënderi ka deklaruar se zëvendësimi duhet bërë nga i pari i listës, pasi kemi 11 vakanca dhe jo nga numri 9-të i listës. “Në çdo qark, të vendosim emrin e personit në parë që është në listë. Ndodh i njëjti fenomen që ikën i shtati apo i katërti, lista fillon nga i pari zëvendësimi”, theksoi Skënderi.

Bledar Skënderi, anëtar i KQZ-së


Numri dy i KQZ-së, Biba këmbënguli në idenë e praktikës shumëvjeçare që është ndjekur, duke përmendur këtu edhe rastin kur ministrat e qeverisë “Rama 1” dorëzuan në bllok mandatin e deputetit. “Kemi pasur dorëheqje nominale, praktika ka qenë kjo që është përmendur gjithmonë emri. Nëse e ndërrojmë praktikë, dakord nuk shoh asgjë të jashtëzakonshme. Nëse do ta ndryshojmë praktikën atëherë, emri nuk është ai i Gent Strazimirit, por i Lulzim Bashës”, theksoi Biba.
Pikërisht mos heqja e mandateve nga emrat e parë në listë, duke mos e nisur procesin nga emrat e liderëve të partive, si Lulzim Basha apo Monika Kryemadhi nga ngritur dyshime se vendimet e KQZ-së janë marrë me ndonjë prapavijë të caktuar politike. Ky ishte edhe shqetësimi i kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri, i cili bëri thirrje se institucioni duhet t’i shmanget këtij perceptimi në sy të publikut.

Kryekomisioneri Klement Zguri

“Është krijuar një lloj kakofonie nga media. Ajo që të gjithë kolegët e mi, duket se jemi pjesë e një skeme dhe po keqpërdorim projektin në fjalë. Duket se ata që e kanë dorëzuar mandatin nuk do t’u hiqet. Kuvendi e ka njoftuar vakancën dhe ajo nuk zëvendësohet, por mbushet. E unë nuk e konsideroj si lloj prone që Strazimiri e ka mandatin dhe ia heq atij. Unë jam për të hequr emrin për zëvendësim vakance dhe jam për zëvendësimin e mandatit për kandidatit për listën shumemërore nga lista e PD-së për qarkun Tiranë. Kjo na bën mirë të mos futemi në një konflikt të tillë”, theksoi Zguri.
Më tej kryekomisioneri shtoi se “unë ju bëj thirrje kolegë ta shikojmë me dashamirësi dhe me qetësi një gjë të tillë, thjesht ne dalim edhe nga një diskutim i pakëndshëm. Unë mendoj se heqja e emrit nuk prek asgjë. Është paarsyeshme që të futemi në një konflikt të tillë. Të gjejmë qetësinë e duhur për ta kaluar këtë ngërç”.
Ky qëndrim bëri që KQZ-ja të ndryshojë praktikën e dhënies së mandateve, duke bërë që për çdo mandat të niset me të parin e listës për çdo qark dhe kështu me radhë.
Për këtë propozim të ri katër anëtarët e KQZ-së, Biba, Jorgaqi dhe Bitri votuan pro, ndërsa kryekomisioneri Zguri votoi kundër. Ai bëri të ditur se ishte dakord, por për arsye parimore votoi kundër.
Kështu Halilaj do të zëvendësojë mandatin e kryedemokratit Lulzim Basha. Edhe për rastin e Korçës, mbi bazën e kësaj praktike për rastin e dhënies së mandatit të Ligoraq Karamelos për listën e PD-së në qarkun e Korçës, nuk do t’i hiqet Klevis Balliut të katërtit, por të parit që është Valentina Duka. Por për shkak të kuotës gjinore, KQZ vendosi ta shtyjë marrjen e vendimit, pasi është në pritje të deklaratave të Dekriminalizimit.


Deputetët e tjerë dhe të LSI-së
Për qarkun e Beratit, KQZ-ja do t’ia japë mandatin e deputetit Lefter Maliqit. Ai do të marrë mandatin e lënë nga Astrit Veliaj. PD në këtë qark ka fituar vetë një mandat. Më parë atë e fitoi Eduard Halimi, por deputeti demokrat një vitë më parë e dorëzoi mandatin për arsye personale. Mbi bazën e procedurës, KQZ-ja i dha mandatin Astrit Veliaj. Sipas relacionit, rezulton se gjinia femërore, si gjinia më pak e përfaqësuar në listën shumemërore Qarku Berat pas dorëheqjes së Juvina Janit dhe Monika Qosjes ka shteruar, ndaj mandati i jepet Maliqit.

Lefter Maliqi

Ndërsa bëhet e ditur se deputeti i ri i PD-së, ka ndryshuar mbiemrin kohë më parë dhe datëlindjen në formularin e vetdeklarimit. Më parë ai e ka pasur nga “Brisku” dhe e ka kthyer në “Maliqi” dhe datëlindja e ka ndryshuar nga “10.09.1972” bëhet në “10.02.1972”. KQZ-ja i dha vendimin Elda Hotit si kandidate për deputete e LSI-së në qarkun e Lezhës. Pavarësisht se kandidatja kishte firmosur deklaratën e refuzimit të marrjes së mandatit, ajo disa ditë më pas, kishte marrë vendimin për të plotësuar formularin e Dekriminalizimit, duke u tërhequr nga vendimi i parë.

Kandidatja për deputete e LSI për Durrësin


Por nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba ka kontestuar faktin se në relacionin e paraqitur përmendej një fakt i tillë. “Vlerësoj se nuk duhet të përmendet një gjë e tillë, pasi deklaratat për refuzimin e marrjes së mandatit janë të pavlefshme në kuptim të ligjit”, theksoi Biba.
KQZ i dha mandatin e deputetit dy deputetëve të tjera të LSI-së, Edlira Hyseni dhe Ediola Braha. Ato marrin mandatin e Nora Malajt dhe të Vangjel Tavos përkatësisht në qarkun e Durrësit dhe të Gjirokastrës. Dy deputet e reja kanë qenë anëtarë të këshillit bashkiak të Durrësit dhe të Tepelenës. Këto këshilla kanë miratuar edhe dorëheqjet e dy kandidateve për deputete nga “parlamentet” lokale.

Largohen
Lulzim Basha PD
Astrit Veliaj PD
Valentina Duka PD
Viktor Tushaj LSI
Nora Malaj LSI
Vangjel Tavo LSI

Bëhen deputetë
Majlinda Halilaj PD
Lefter Maliqi PD
Ligoraq Karamelo PD
Elda Hoti LSI
Edlira Hyseni LSI
Ediola Braha LSI


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë