Dekreti i Presidentit të Republikës, Ilir Meta për Butrintin u rrëzua në komisionin e Ekonomisë nga votat e mazhorancës, por kreu i Shtetit ka kërkuar sërish reflektim.
“I ftoj deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të lexojnë me shumë vëmendje të gjitha arsyet ligjore të prezantuara edhe sot në Komisionin e Ekonomisë nga Këshilltari im Ligjor, z.Bledar Dervishaj lidhur me Dekretin për kthimin për rishqyrtim në Kuvend, të Marrëveshjes për Administrimin e Parkut të Butrintit, që:
cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës;
cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar;
cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO;
bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij”, shkruan ai.
Më tej Meta rendit: “Procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje;
shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre;
për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Europian”.
Meta kishte një thirrje të posaçme për deputetët e mazhorancës.
“I kujtoj shumicës në Kuvendin e Shqipërisë se nëse do të zgjedhë të rrëzojë politikisht Dekretin e Presidentit dhe të vijojë me hyrjen në fuqi të ligjit, kjo nuk do t’i shërbente aspak interesave të larta të vendit dhe kombit shqiptar, por do të përkeqësonte çdo marrëdhënie të organeve të shtetit me shoqërinë civile, ekspertët, dhe qytetarët në tërësi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.