Nga Gazeta ‘Si’- Pak pas nisjes së seancës plenare, deputetët e përjashtuar të PD-së u drejtuan drejt Kuvendit.
Ata kërkuan që të futen brenda ambienteve, por u penguan nga Garda.
Flamur Noka, Dash Sula, Albana Vokshi dhe Asllan Dogjani ishin sërish në krye të përballjeve me Gardën e cila edhe njëherë kishte rritur praninë e saj në dyert e Kuvendit, të përforcuar me një gardh metalik.
Fyerje dhe shtyrje ka pasur në drejtim të Gardës, e cila u cilësua nga deputetët opozitarë si në shërbim të regjimit të Ramës.
“Hape! Hape! T’ju vijë turp! Ku jemi këtu në Kore të Veriut? E keni kthyer në diktaturë. Mos u përdorni nga Edi Rama”, u tha deputeti Asllan Dogjani gardistëve.
Flamur Noka tha në një prononcim për mediat se nuk i përjashton dot ‘narkosi’ por vetëm vota e qytetarëve.
"Çdo kuvend ka mision, të përcjellë zërin e zgjedhësve dhe ne atë detyrë kemi. Na përjashton vetëm populli e vota, s’na përjashton dot askush pavarësisht dëshirave të narkos apo 5 mln eurove të doganave", deklaroi ai.
Më pas deputetët e PD u ulën këmbëkryq para parlamentit dhe nxorrën karriget jashtë sallës.
Mandej ata u nisën drejt Bashkisë së Tiranës ku po mbahej protesta e opozitës e cila zgjati rreth një orë.
Në protestë, Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu deklaroi se beteja nuk do të ndalet derisa hajdutët të përfundojnë në burg ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi se sipas tij vendi është nën pushtimin e një regjimi kriminal që po përdor edhe policinë.
Pas përfundimit të protestës, deuptetët e PD u rikthyen edhe një herë jashtë ambienteve të Kuvendit ku qëndruan për rreth 20 minuta të tjera dhe më pas u larguan.
PD ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga mosbindja civile, teksa dy ditë më parë bllokoi për 3 orë me radhë 6 akse kryesore të vendit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.