Politike

Deputetët e PD-LSI “shpërblim” për mandatet. Fondi i librave i shkoi mos “djegies” së Kuvendit


Kuvendi ka shpenzuar më pak fonde nga buxheti i shtetit se sa në vitet e kaluara për 8 muajt e parë të vitit 2019. Në raportin e siguruar nga Gazeta Si për shpenzimet e realizuara nga janari-gusht të këtij viti rezulton se më e ulët dhe kjo duket për shkak të mos realizimit projekteve të parashikuara, por edhe për shkak të dorëzimit në bllok të mandateve që bënë në muajin Shkurt të 58 deputetët e opozitës.
Shpenzimet për paga në programin legjislativ sipas këtij raporti janë realizuar 50.3% të planit vjetor. Mosrealizimi i këtyre shpenzimeve sipas planifikimit janë të lidhura me specifikën e këtij vitit, kur në shkurt 2019 u mor vendimi kolektiv i dorëzimit të mandateve nga 58 deputetë të opozitës.
“Vetëm 40 deputetë të rinj morën mandate. Si rezultat i një numri më të ulët të deputetëve, shpenzimet nga pagat nuk janë realizuar. Efekti financiar për 6 muaj është 17 milionë lekë, i pashpenzuar”, theksohet në raport.

Faksimile e raportit të shpenzimeve të Parlamentit për periudhën 8 mujore


Por ndërsa janë kursyer për dhënien e pagave, Kuvendi është detyruar që t’i japë shpërblim të 58 deputetëve të opozitës dhe kjo si një detyrim që vjen nga ligji për “Për pensionet suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të funksioneve të shtetit”, si dhe të Udhëzimit të Ministrisë së Financave "Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit”. Kuvendi bën të ditur se është akorduar fondi 21.8 milion lekë, për dhënien e shpërblimit të menjëhershëm për deputetët dhe këshilltarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim që kanë dorëzuar mandatin dhe dhënë dorëheqjen. Ky shpërblim sipas ligjit do të zbatohet deri në momentin kur ish-deputetët do të punësohen.


Ky dorëzim i mandateve ka ndikuar edhe në mos realizimin e shpenzimeve të kontributeve të sigurimeve nga punëdhënësi, në 8 mujor janë realizuar 47.17 % të planit vjetor.
Kuvendi ka në organikë 405 të punonjësve, ku përfshihen staf politik, përfshirë deputetët si dhe stafin administrativ. Numri faktik, në muajin gusht 2019 përfshirë dhe deputetët, rezulton 331.
Largimi i deputetëve të opozitës ka ndikuar në uljen e shpenzimeve që përdoren për bonuse për dieta, udhëtime, apo dhe telefona e qira banese. Nëngrupi i përfitimeve financiare të deputetëve, ka një realizim më të ulët se planifikimi për shkak të ndryshimeve të ndodhura në mars-maj 2019, kjo sipas raportit vjen nga dorëzimi i mandateve, mandatet e reja, 18 mandate të paplotësuara, ndryshime në vendbanime, por dhe të numrit të mbledhjeve te komisioneve parlamentare. Për shkak të krizës politike ka pasur më pak mbledhje të komisioneve dhe më pak seanca parlamentar.

Detajimi në nivel treshifror të llogarive ekonomike plan vjetor-fakt 8 mujor. Shpenzimet për dieta e udhëtime, kompensimi i faturave dhe i qirave e hoteleve për deputetët


Blerje e sistemit të ri elektronik, fondi i librave kalon për mbrojtjen kundër zjarrit
Në raportin e siguruar nga Gazeta Si rezulton se janë shpenzimet operative kanë shkuar në masën 43%, e këto janë për udhëtimet jashtë shtetit dhe brenda vendit, dieta, pagesa telefoni, qira banese. Në total kjo shumë e shpenzuar kap vlerën e 2.014.400 lekëve. Kuvendi bën të ditur se do të ndryshojnë sistemin e votimit të deputetëve në seancë. Sistemi aktual është realizuar në vitin 2007, kur kryeparlamentare ishte Jozefina Topalli. Me kërkesë të Shërbimeve përkatëse janë kërkuar në Ministrinë e Financave rishpërndarje të fondeve, të cilat konsistojnë në rritjen e vlerës së “Sistemit elektronik të votimit” nga 50.4 milion të planifikuara në fillim të vitit, në 60.5 milion pas rishpërndarjes. Ky sistem parashikon të zëvendësojë sistemin elektronik të votimit të blerë në vitin 2007, në vlerë fillestare 43.6 milion lekë. Shtesa për këtë sistem është bërë duke zbritur “Blerje pajisje”.

Nga sulmet me molotov në Kuvend


Viti i trazuar politik, i shoqëruar me protesta dhe me akte dhune si hedhje e molotovë nuk kurseu as Parlamentin. Kjo situatë duket se ka ndikuar te Kuvendi, që nëpërmjet Byrosë së Kuvendit të rishikojë buxhetin, duke kërkuar rishpërndarje duke zbritur fondin “Blerje libra” 200 mijë lekë dhe siguruar pagesën e prapambetur të kolaudatorit dhe supervizorit të rikonstruksionit të realizuar në vitin 2018 si dhe nevoja e një projekti paraprak për sistemin e integruar MNZSH, (Mbrojtjes kundër Zjarrit) që është parashikuar për vitin e ardhshëm.
Kuvendi do të shpenzojë 38 milionë lekë për blerjen e autoveturave, sipas raportit rezulton se deri më tani është realizuar në masën 50 për qind të vlerës, duke shpenzuar 19 milionë lekë. Ndërsa është parashikuar që shpenzime të ketë edhe për projektet e fonive në përmirësimin e sistemit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë