Politike

Deputetët e PD e akuzuan se i kërcënoi, Ilir Beqaj: Më trajtuan si send. Shpreha revoltën për talljen deri në kufijtë e torturës. S’kërcënova askënd

Nga Gazeta 'Si'- Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka reaguar nga qelia në lidhje me atë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në komisionin hetimor të “Sterilizimit”.

Në një moment, Beqaj shihet të hyjë në sallën ku po mbahej mbledhja dhe i drejtohet me gjeste e fjalë deputetes Ina Zhupa, e cila pretendon se ish-ministri e ka kërcënuar ndërsa kryetarja e komisionit Albana Vokshi njoftoi se për një akt të tillë do të njoftohen të gjitha instancat përkatëse.

Beqaj në reagim sqaron se arsyeja që e ka detyruar të hyjë në sallë është mënyrë se si Ina Zhupa po i drejtohej, si të ishte një send sipas tij, ndërsa shton se pavarësisht se është i paraburgosur 'nuk mund të lejonte nëpërkëmbjen e dinjitetit të tij'.

 “Prej marsit 2024, kur është miratuar ngritja e komisionit hetimor parlamentar për koncensionet në shëndetësi, nga deputetët nismëtarë jam përballur me akuza, fyerje si hajdut, kriminel etj. Kam pritur në heshtje ditën e përballjes në Komision. Ditën e martë jam paraqitur në orën 10 dhe deri në oren 19.30 jam penguar të jap dëshminë. është penguar të flasë edhe avokati im.

Ditën e mërkurë jam paraqitur në oren 10.30 sipas njoftimit dhe kam pritur deri në orën 01.40 të ditës së enjte. Edhe në mbledhjet e ketyre dy ditëve që janë publike, me zë dhe figurë, jam përballur me akuzat, talljet e fyerjet nga Vokshi, Zhupa, Koreshi dhe Hoti", shkruan Beqaj.

Sipas tij, deputetët opozitarë janë tallur deri në kufijtë e torturës.

"Në atë orë të natës, duke qëndruar pranë sallës së mbledhjes në pritje për të dëshmuar dhe duke ndjekur punimet e komisionit, kam dëgjuar deputeten Zhupa që sikur unë të isha send kërkonte që meqë kishte kaluar ora 24 e datës 13 nëntor të kthehesha në qeli, pasi sipas saj kjo ishte leja e dhënë nga Drejtoria e Burgjeve.

Sipas Kodit të Procedurës Penale edhe për një të paraburgosur në rast marrjeje në pyetje apo procesi gjyqesor, qëndrimi nuk varet nga orari i lejes, por kohëzgjatja e seancës përkatëse. Kam hyrë në sallën e mbledhjes vetëm një hap nga dera dhe kam shprehur haptazi revoltën time për talljen deri në kufijtë e torturës që bëhej prej më shumë se 14 orësh. Nuk kam kërcenuar apo fyer askënd.

I kam treguar i revoltuar deputetes Zhupa se jam aty në pritje prej orës 10.30. Edhe nëse jam i paraburgosur nuk pranoj të më fyejnë dhe të më marrin nëpër këmbë. Këtë e refuzoj, e kundërshtoj dhe do të vazhdoj ta kundërshtoj. Në 8 muaj hetime të komisionit, të gjithë dëshmitarët kanë provuar që dy koncensionet objekt hetimi janë histori suksesi. Dështimin politik deputetët e opozitës nuk i lejoj ta përcjellin në nëpërkëmbje të dinjitetit tim", deklaroi ai.

Komisioni Hetimor për dy koncensionet në shëndetësi nuk arriti që të marrë dëshminë e Ilir Beqajt, ish-ministrit të shëndetësisë.

Mbledhja maratonë zgjati deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, por sërish nuk u gjet dakordësia mes palëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë