Politike

Deputetët e përjashtuar të opozitës përplasen me gardistët në hyrje të Parlamentit. Spiropali nis seancën. Opozita grumbullon karriget te foltorja (foto)

Nga Gazeta 'Si'- Ndërsa jashtë parlamentit është krijuar një situatë e nxehtë me deputetët e përjashtuar të opozitës që tentojnë të hyjnë në sallë, kryetarja e Parlamentit Elisa Spiropali ka hapur seancën.

Megjithatë edhe brenda sallës, deputetët e opozitës kanë grumbulluar karriget në foltore.

Teksa Elisa Spiropali hapi seancën për të mbajtur fjalën për grup-kapitujt, deputetët opozitarë të papërjashtuar shkaktuan tensione dhe kaos. Deputeti i PDIU, Gëzim Ademaj, u pa teksa mblidhte karriget pranë foltores, për të penguar seancën.

Ndërkohë jashtë deputetët e Partisë Demokratike janë përplasur me punonjësit e Gardës para hyrjes së Kuvendit që është rrethuar me barriera metalike.

“Hape krahun. Mos mbroni hajdutët. T’ju vijë zor! Hapeni rrugën se jemi pa përjashtuar”, dëgjohen deputetët e opozitës.

Flamur Noka ka shtyrë gardistët dhe ka tentuar të heqë barrierat metalike.

Ata mbajtën një pankartë ku shkruhej "Edi Rama, Mafia".

Edhe ligjvënësi Dashnor Sula tentoi të hynte me forcë, por s'u lejua.

"Shërbejini Edit, shërbejini. Ja, si duket Garda, shteti", vijojnë ata.

Garda ka rrethuar prej mëngjesit me gardh metalik Kuvendin për të mos lejuar futjen e deputetëve të përjashtuar. Gjithashtu një mjet i repartit të Zjarrfikëses u pa teksa hynte në ambientet e institucionit të Parlamentit mëngjesin e sotëm, që do i shërbejë masave të përforcuara të autoriteteve, për të shmabgur incidentet që mund të vijnë nga vendosja e zjarrit, siç ndodhi me djegien e karrigeve dhe manekinëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë