Deputetët britanikë kanë rrëzuar propozimin për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç. Në vend të një ndalimi të plotë, Parlamenti mbështeti një plan që i jep qeverisë kompetenca për të vendosur kufizime sipas nevojës.
Propozimi ishte frymëzuar nga modeli i Australisë, e cila në fund të vitit të kaluar u bë vendi i parë që vendosi ndalim të rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç.
Pas votimit, Liberal Demokratët reaguan duke thënë se vendimi ishte dështim i papranueshëm.
Kundër ndalimit të rrjeteve sociale u shpreh babai i Molly Russell, vajzës 14-vjeçare që i dha fund jetës pasi kishte parë përmbajtje të dëmshme në internet. Ai theksoi se qeveria duhet të përqendrohet në zbatimin më të fortë të ligjeve ekzistuese.
Propozimi për ndalimin u paraqit si një amendament në projektligjin për Mirëqenien e Fëmijëve dhe Shkollat. Gjatë debatit në Parlament, ministrja e Arsimit Olivia Bailey u bëri thirrje deputetëve ta rrëzonin këtë ndryshim dhe të mbështesnin një qasje më fleksibël.
Sipas saj, disa prindër dhe organizata kërkojnë ndalim të plotë të rrjeteve sociale për nën 16 vjeç, ndërsa të tjerë paralajmërojnë se një masë e tillë mund t’i çojë fëmijët drejt platformave më pak të kontrolluara ose t’i lërë të papërgatitur kur të hyjnë në botën online.
Qeveria ka nisur gjithashtu një konsultim publik për të shqyrtuar hapat e ardhshëm, përfshirë mundësinë që rrjetet sociale të kenë një moshë minimale përdorimi.
Në votimin në Parlament, 307 deputetë votuan kundër propozimit për ndalim të plotë, ndërsa 173 votuan pro. Më shumë se 100 deputetë të Partisë Laburiste abstenuan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje