Politike

Depozitohet në KQZ dorëheqja e Pjetrit. A do të shmanget Meta?

Partia Socialiste nuk humbet kohë dhe depoziton në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për dorëheqejn e Valdrin Pjetrit nga marrja e mandatit si kryetar i bashkisë së Shkodrës.
Sipas burimeve mësohet se letra e dorëheqjes është depozituar nga kryetarja e re të Këshillit të bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadia ku vihet në dijeni për këtë vakancë. Pas kësaj kërkese KQZ duhet të shqyrtojë kërkesën e paraqitur nga këshilli, për të vendosur edhe për rrugën se si do të ndiqet.
Kodi Zgjedhor, në nenin 10 parashikon që pas këtij akti, KQZ të vërë në dijeni presidentin dhe në këtë mënyrë të nxirret dekreti për zgjedhje të pjesshme për Shkodrën, vetëm për kryetarin.
“Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Në rast ankimi të organit të shpërndarë ose të shkarkuar, zgjedhjet zhvillohen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga mbarimi i afatit që ka organi i shpërndarë për të ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo e drejtë nuk është ushtruar, ose data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rast se është ankuar në këtë gjykatë brenda afatit të nenit 115 pika 2 të Kushtetutës. Në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit”, thuhet në pikën 3 të nenit 10 të Kodit.
Për këtë situatë, ekspertë dhe juristë deklaruan për Gazeta SI, në çdo rast zgjedhjet për Shkodrën duhet të bëhen vetëm me anë të një dekreti të presidentit, pasi nuk mund të ketë votime pa një shpallje date nga presidenti.
Por qarkullojnë zëra se KQZ-ja mund të veprojë për të shpallur si pavlefshëm rezultatin, e mund të kërkojë të shmangë presidentit në nxjerrjen e një dekreti, kur në kushtet e një konflikti shihet e pamundur. Pasi Meta ka deklaruar se nuk do të nxjerrë një datë të re dhe se dekreti për zgjedhjet lokale është 13 tetori.
Gjithsesi marrja e një vendimi të tillë të KQZ-së, kërkon të paktën 5 votat e anëtarëve të KQZ-së, dhe është e vështirë për t’u arritur. Çështja e Shkodrës, mund të kërkojë përfshirjen e Kolegjit Zgjedhor.
Valdrin Pjetri dha dorëheqjen nga mandati i kryebashkiakut të Shkodrës pesë ditë më parë, pas akuzave të hedhur nga opozita se ai është dënuar në Itali për trafik droge. Nga ana e saj opozita zhvilloi një protestë duke konsideruar ilegjitim konstituimin e këshillit bashkiak. Kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi tha se do të vazhdojë të mbajë detyrën deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë