Nga Gazeta ‘SI’ – Kursimet e shqiptarëve në banka kanë pësuar një rritje të lehtë në tetor, duke kaluar vlerën e 1.282 mijë miliardë lekëve (1.28 trilion).
Nga shtatori rritja stoku është rritur me 2 mld lekë, përkthyer në jo më shumë se 0.1%. Edhe tetorin e shkuar, stoku total i depozitave qëndronte pothuajse në të njëjtat vlera.

Sipas monedhës, gjatë tetorit, kursimet në lekë janë shtuar me 5 mld lekë dhe në valutë kanë rënë me 2 mld lekë. Euro vijon të dominojë depozitat.
Gjatë gjithë 2023-shit, depozitat në sistemin bankar kanë ruajtur tendencë negative, por muajt e fundit ka patur luhatje të shpeshta. Vetëm në muajin gusht depozitat u shtuan me 55 mld lekë. Shtatori riktheu rënien, për të pasuar një tjetër rritje në tetor.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me luhatjet e kursit të këmbimit, ndaj të cilit depozitat janë mjaft të ekspozuara. Edhe në rast se vlera në euro ka rritje, e shprehur në lekë, për shkak të zhvlerësimit, rezulton më e ulët se një vit më parë ose edhe negative.
Pas një rritje të papritur gjatë gushtit, kursimet e shqiptarëve në banka kanë rënë përsëri në shtator. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në shtator, stoku i depozitave ra me 4.4 mld lekë, duke u ulur në kufijtë e 1.28 trilion lekëve. Kjo vjen pas një rritje 55 mld lekësh gjatë gushtit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, një gjë është e sigurt, që nuk janë bizneset ata që po prekin depozitat e tyre. Në një komunikim me median, ekspertë të BSH-së thanë se depozitat bankare të bizneseve janë në momentin më të mirë ndonjëherë, me një rritje 20% vetëm gjatë këtij viti.
Familjet, ashtu siç ishte parashikuar dhe nga BSH, janë prekur në aftësinë e tyre paguese dhe kursyese nga inflacioni dhe normat e larta të interesit. Momentalisht normat e depozitave janë të favorshme, por tërheqja nga to nuk ka rezultuar e suksesshme
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.