Para

Depozitat në mars u zgjeruan me 640 milionë euro krahasuar me para pandeminë

Muaji mars ka shënuar një rekord historik sa i përket kursimeve të bizneseve dhe individëve.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit mars stoku i depozitave arriti në 1.12 trilionë lekë, ose rreth 9 miliardë euro duke u rritur me 0.5% nga një muaj më parë.

Në krahasim me shkurtin 2020, përpara krizës pandemike, kursimet janë zgjeruar me 7.6%, ose 640 milionë euro  më shumë, duke shënuar ritmet më të larta të rritjes që nga viti 2012, për të njëjtat periudha kohore.

Gati 60% e rritjes vjetore ka ardhur nga depozitat në lekë dhe kjo  sugjeron se depozitat po shtohen nga kursimet e brendshme dhe janë të ndikuara nga kriza e pandemisë. 

Në tre muajt e parë të vitit depozitat janë shtuar me ritme shumë më të ulëta në raport me 2020-ën.

Individët i kanë lënë paratë në llogari pa afat teksa normat e interesit të cilat janë më të ulëta se 1% për afatet vjetore të maturimit nuk shërbejnë si nxitës për të mbyllur kursimet në banka.

Në fund të marsit, depozitat në lekë u rritën me gati 1 pikë përqindje në krahasim me shkurtin e vitit te kaluar dhe përbënin rreth 46.3% të totalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë