Para

Depozitat arrijnë rekordin e 10 miliardë eurove në vitin 2021

Gazeta Si-Në fund të vitit të kaluar, individët bizneset dhe institucionet kishin të depozituara në sistemin bankar gati 10 miliardë euro që është niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë, pas viteve ’90.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursimet në banka në vitin 2021 u shtuan me 9.4%, ose gati 860 milionë euro.

Kjo është rritja më e lartë vjetore që nga viti 2010, kur sistemi pa një zgjerim të fortë për shkak të kthimit të depozitave pas tërheqjes së tyre nga frika e krizës financiare 2008-2009.

Rritja në 2021 ka ardhur gati 70% nga valuta, por edhe kursimet në monedhën vendas ishin në zgjerim.

Depozitat në valutë u rritën me 11.6% me bazë vjetore, ndërsa ato në lekë me 6.3%.

Si korportatat financiare ashtu dhe rezidentët kanë pasur një vit të mirë, duke arritur që të shtojnë ndjeshëm kursimet në banka.

Të dhënat historike të BSH-së tregojnë se rritja e kursimeve në banka është përshpejtuar ndjeshëm dy vitet e fundit (2020-2021), pasi në periudhën 2017-2018 shënuan rënie për herë të parë në historinë e pas tranzicionit dhe ngadalësimit të ndjeshëm në 2013-2016.

Gjatë vitit pandemik kursimet u nxitën nga monedha vendase, teksa individët nuk kishin shumë mundësi të shpenzonin, ndërsa në 2021 ishte valuta ajo që udhëhoqi rritjen.

Edhe kursimet në lekë po rriten tre vitet e fundit, pas rënies së tyre që u nxit nga lehtësimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë nga viti 2011, me uljen e vazhdueshme të normave të interesit. Kjo bëri që individët të mos kishin interes të depozitonin kursimet me afat të gjatë.

Valuta mbetet monedha më e preferuar për të kursyer, që ndikohet dhe nga prurjet e emigrantëve.

Në fund të vitit 2021, rreth 55.4% e kursimeve ishin në valutë, kryesisht në euro, nga 48.3% një dekadë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë