Ka ndodhur

Deportohet nga SHBA autori i një vrasjeje të dyfishtë 25 vjet më parë

Gazeta Si – Tomorr Çela, i cili kishte kryer një vrasje të dyfishtë 25 vjet më parë, është ekstraduar këtë të enjte nga SHBA-të në Shqipëri.

Ish-polici është sjellë nga oficerët amerikanë në Tiranë me qëllim kryerjen e dënimit.

Policia thotë se 56-vjeçari ka vrarë dy persona, Elton Danin dhe Ledian Hoxhën, në 27 nëntor të vitit 1997 në rrugën “Bajram Curri” në Tiranë dhe më pas është larguar.

Më herët, gjykata kishte dhënë 23 vite burg në emër të tij për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. 

Ai u kap nga policia amerikane pas kërkesës së autoriteteve shqiptare dhe tashmë u soll në Shqipëri me qëllim kryerjen e dënimit.

Ngjarja ka ndodhur për një përplasje me makinë. Mësohet se, tri-katër ditë para krimit, Çela ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij “Benz Mercedez”, dhe është përplasur me automjetin që drejtohej nga i ndjeri Ledian Hoxha, në të cilin ndodhej edhe shoku i tij, i ndjeri Elton Dani.

Kjo ka qenë fillesa e konfliktit që përfundoi me dy të vrarë. Tomorr Çela u fajësua për këtë ngjarje në vitin 2009, kur u dënua me 24 vjet burg.

Ky vendim u la në fuqi në Apel, por në vitin 2011, Gjykata e Lartë e ktheu dosjen për rigjykim, e cila në vitin 2014 i uli atij vetëm një vit burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë