Bota

Departamenti i Drejtësisë refuzon të bëjë publike provat nga ku nisi hetimi kundër Donald Trump

Departamenti Amerikan i Drejtësisë refuzoi të bëjë publike provat e indiciet nga ku hetuesit e FBI-së siguruan mandatin e gjykatës federale për të kontrolluar vilën e Donald Trump në Mar-a-Lago.

“Rrezikon që të zbulojë detaje nga hetimi i nisur, në një mënyrë që ka shumë të ngjarë të kompromentojë hapat e ardhshëm hetimor”, shkruajnë prokurorët në një dosje gjyqësore.

Aleatët republikanë të Trump ditët e fundit kanë shtuar thirrjet për Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA Merrick Garland për të publikuar dokumentin mbi bazën e të cilit kërkuan dhe morën mandatin e kontrollit në banesën e Donald Trump.

Dokumenti do të tregonte provat që FBI i dorëzoi gjyqtari federal të Floridas për të siguruar autorizimin e kontrollit.

Të premten, me kërkesë të Departamentit të Drejtësisë, një gjykatë federale në jug të Floridës zbuloi urdhrin e kontrollit dhe disa dokumente ligjore shoqëruese që tregonin se agjentët e FBI-së morën 11 grupe të dhënash të klasifikuara nga resorti Mar-a-Lago.

Disa nga të dhënat e sekuestruara u etiketuan “tepër sekret”, niveli më i lartë i klasifikimit i rezervuar për informacionin në SHBA. Dokumentet e tilla zakonisht mbahen në objekte të posaçme qeveritare, sepse zbulimi mund të dëmtojë sigurinë kombëtare.

Departamenti i Drejtësisë e përmendi këtë të hënën si një arsye tjetër për të mos zbuluar dokumentin nga ku nisi hetimi, duke thënë se hetimi përfshinte “materiale shumë të klasifikuara”.

Agjencia tha se nuk do të kundërshtonte lëshimin e dokumenteve të tjera të vulosura të lidhura me bastisjen. Urdhri i lëshuar të premten tregoi se Departamenti i Drejtësisë po heton shkeljen e mundshme të tre ligjeve nga Donald Trump, përfshirë këtu edhe akuza për spiunazh.

Ato përfshijnë një dispozitë në Aktin e Spiunazhit që ndalon posedimin e informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe një statut tjetër që e bën krim shkatërrimin, fshehjen ose falsifikimin me vetëdije të të dhënave me qëllimin për të penguar një hetim.

Trump ka deklaruar se ai kishte një urdhër të përhershëm për të deklasifikuar të gjitha materialet e gjetura në shtëpinë e tij.

Prokurorët të hënën përmendën dhunën dhe kërcënimet në rritje kundër FBI-së si një arsye tjetër për të mos bërë publike dokumentin e nisjes së hetimeve ndaj Trump.

“Informacioni për dëshmitarët është veçanërisht i ndjeshëm duke pasur parasysh natyrën e profilit të lartë të kësaj çështjeje dhe rrezikun që zbulimi i identitetit të dëshmitarëve do të ndikonte në gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me hetimin”, shkruan ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë