Futboll

Dënohet Skënderbeu dhe Dinamo në elitë, skenarët e Superiores së re

Çfarë po gatuhet me kampionatin elitar të futbollit në Shqipëri? Një skenar pritet të formalizohet shumë shpejt nga FSHF-ja, që është vënë në hall të madh kohët e fundit, sepse “nuk mban më ujë pilafi”. Janë disa pikëpyetje të mëdha që presin të marrin përgjigje, por nën zë ka kohë që flitet për përbërjen e Superiores së kampionatit të ardhshëm.

E para është çështja e Skënderbeut, që me siguri do të marrë një dënim nga Federata Shqiptare e Futbollit, për shkak së është dënuar në dy shkallë gjyqësore, nga UEFA dhe nga KAS-i, me 10 vjet jashtë Kupave të Europës, për shkak të trukimit të ndeshjeve. Klubi korçar e ka çuar çështjen në Gjykatën Federale të Zvicrës, por ky proces kërkon edhe një vit kohë. Dhe duke qenë se Skënderbeu rezulton fajtor, pritet që FSHF-ja të zbresë një ose disa kategori më poshtë, kjo mbetet për t’u parë. Po kush do ta zëvendësojë Skënderbeun? Normalisht, i takon Dinamos ose Besës, si dy skuadrat e renditura në vendet e dyta në Kategorinë e Parë sezonin e fundit. Ndoshta mund të ngjiten të dyja këto skuadra, nëse përjashtohet edhe Luftëtari me probleme të theksuara financiare, por kjo është një çështje më vete.

Skënderbeu duke u stërvitur në Korçë

Skenari më i mundshëm është që në Superiore të luajë Dinamo, që në fakt do të jetë një “Skënderbe 2”. Presidenti i korçarëve, Ardjan Takaj, është gati të financojë për Dinamon, në bashkëpunim me investitorët e saj, familjen Nuri. Si mund të funksionojë? Lojtarët më të mirë të Skënderbeut, – që do të marrë pjesë në një kategori inferiore, – do të kalojnë te Dinamo. Pra, lojtarë si Muzaka, Dita, Bregu, Krasniqi e të tjerë, do të veshin fanellën e Dinamos në Superiore. Nuk bëhet fjalë që skuadra kryeqytetase të ndryshojë as fanellën dhe as logon, siç është aluduar. Përbërja e saj do të jetë me lojtarët më të mirë të Skënderbeut dhe të tjerë që mund të afrohen nga merkatoja. Trajneri i Dinamo-Skënderbeut pritet të jetë Ilir Daja, një dinamovit që ka shkruar historinë në krye të korçarëve.

Propozimi që ngre një pikëpyetje të madhe është zhvillimi i ndeshjeve në Korçë. Sigurisht, as tifozët blu dhe as ata korçarë nuk do ta mirëprisnin këtë variant, sepse duan që të respektohet historia dhe tradita e secilit klub. Dinamo, në fakt, nuk ka një fushë për t’u stërvitur dhe për të luajtur ndeshjet zyrtare. Me Takajn “president”, kjo skuadër mund të stërvitej në kompleksin “Tropikal” në Durrës, ose në ndonjë kompleks stërvitor në kryeqytet, ndërsa për ndeshjet e kampionatit mund të jenë alternativa Elbasani, stadiumi i ri në Tiranë, por edhe Korça, nëse tifozët nuk do ta kundërshtojnë me forcë. E thënë thjesht: ndërkohë që Skënderbeu i vërtetë pret vendimin e Gjykatës Federale në një kategori inferiore, Dinamo, apo “Skënderbeu 2”, konkurron për trofe në Superiore.

Dinamo e sezonit të kaluar

Por në këtë moment nuk është ky problemi i vetëm i Superiores. Janë katër klube me ultimatum nga FSHF-ja për zgjidhjen e problemit të borxheve, konkretisht Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari. Lëvizjet e fundit, konferenca e shtypit e presidentit të Ligës Profesioniste, Edvin Libohovës, njëkohësisht edhe zëvendëspresident i FSHF-së, si dhe krijimi i Shoqatës së Futbollistëve, duken si një presion ndaj qeverisë për t’i ardhur në ndihmë futbollit me miratimin e paketës fiskale të premtuar nga Kryeministri Edi Rama. Investitorët në klubet e futbollit po hasin vështirësi dhe borxhet e prapambetura sa vijnë dhe shtohen, ndaj dhe situata ka mbërritur në pikën e saj kritike.

Për momentin, dihet vetëm data e fillimit të Superiores, 24 gushti, që me siguri do të shtyhet. Nuk është hedhur ende kalendari dhe për më tepër nuk dihet cilat do të jenë skuadrat pjesëmarrëse, pas dënimit të pritshëm të Skënderbeut dhe çështjes së licencimit ose jo të 4 klubeve me probleme, që kanë afat deri më 31 korrik. FSHF-së i duhet të tolerojë në disa drejtime, te licencimet me siguri, sepse edhe nëse ndëshkon katërshen problematike, nuk ka të fusë, ngaqë edhe klubet kandidatë për t’i zëvendësuar kanë po ato probleme, ndoshta edhe më keq, nuk kanë infrastrukturë. Kuptohet qartë se futbolli shqiptar është i paralizuar dhe ky mund të jetë momenti adapt për të vënë pak rregull një herë e mirë, pavarësisht kostove të larta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë