Një gjykatë në Kosovë dënoi një burrë me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij ndërsa një tjetër me 15 vjet heqje lirie për ndihmë në kryerjen e vrasjes.
Gjykata themelore në Ferizaj, shpalli fajtor Dardan Krivaqën për vrasjen e bashkëshortes së tij 18 vjeçare Marigona Osmani në gusht të vitit 2021, ndërsa Arbër Sejdiun për ndihmë në kryerjen e vrasjes.
“I akuzuari Dardan Krivaqa me datën 21 gusht 2021 në banesën e tij në rrugën Ramadan Rexhepi në Ferizaj në intervalin kohor nga ora 10:40 e deri të nesërmen me datën 22 gusht 2021 në ora 14:43, ndërsa ka qenë duke bashkëjetuar me tani të ndjerën Marigona Osmani, për motive të xhelozisë e me vetëdije ndërmerr veprime të dhunshme, të rënda, esktreme ndaj saj, në atë mënyrë që gjatë dy ditëve rresht kohë pas kohe në vazhdimësi me një shkop të drurit e godet viktimën në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike”, tha gjykatësi Sahit Krasniqi, duke shpallur vendimin.
Në vendim thuhet se Marigona Osmani vdiq nga pasojat e dhunës së skajshme të ushtruar ndaj saj nga tashmë i dënuari Krivaqa.
Dënimi me burgim të përjetshëm për Daradan Krivaqën u mirëprit nga Rrjeti i Grupeve te Grave në Kosovë. Por organizata mendon se dënimi me 15 vjet heqje lirie i Arbër Sejdiut është i ulët.
Vrasja e 18 vjeçares Marigona Osmani nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë ku dhuna ndaj grave vazhdon të jetë ndër problemet më të rënda.
50 gra të vrara në 12 vjet
Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




