Drejtësia

Dënohet me 8 vite burg maqedonasi që u kap me 324 kg kokainë në Portin e Durrësit

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme dënoi shtetasin maqedonas Nazif Ajroskin me 12 vjet burg për akuzat e trafikut të 324 kilogramëve kokainë si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi ulje të dënimit duke u mbyllur përfundimisht 8 vjet në qeli.

Shoferi Ajroski u arrestua në 18 qershor të 2021 në Portin e Durrësit në drejtimin e një kamioni të nisur nga Maqedonia e Veriut i ngarkuar zyrtarisht me hekur, brenda të cilit u gjetën dhjetëra pako me kokainë.

Ato kishin paketime të ndryshme dhe logo si “Dior”, “Chicago Bulls” apo edhe “PSG”.

Për këtë hetuesit dyshojnë se shtetasi maqedonas do e dërgonte lëndën narkotike në Itali ku dhe më pas do ta merrnin porositës të ndryshëm.

Hetimet fillimisht u kryen nga Prokuroria e Durrësit, e cila 6 muaj pas arrestimit i dërgoi dosjen Prokurorisë së Posaçme me dyshimet se Nazif Ajroski ishte pjesë e një grupi kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë