Motosport

Dënimi i mundshëm, Red Bull-i merr masat për t’u mbrojtur fort

Gazeta Si – Do të duhet pak kohë deri në dhënien e një ndëshkimi të mundshëm për skuadrën që po dominon Botërorin në Formula 1. Red Bulli-i, që ka shkelur rregullat e limitit të kostove, ashtu si Aston Martin, po bëhet gati për t’u përballur me FIA-n për çdo rast.

Ferrari dhe Mercedesi presin dorën e ashpër të FIA-s për këtë rast, ndërsa Red Bull-i po përdor një taktikë agresive për këtë situatë. Komunikata me të cilën kjo skuadër reagoi pas hetimit që konfirmoi shkeljet, tregon qartë etapat që do të ndiqen.

Vershtapen me drejtues te Red Bull-it. Gazeta Si, 12 tetor 2022

“Kemi mësuar rezultatin e hetimit të FIA-s për shkeljen e rregullores financiare dhe jemi shumë të zhgënjyer. Të dhënat tona për 2021-shin ishin poshtë limitit të ‘budget cap’ dhe duhet të shohim me kujdes rezultatet e FIA-s.

Bindja jonë është se kostot janë brenda rregullores. Pavarësisht reagimeve dhe qëndrimeve të të tjerëve, ka një proces të përcaktuar nga FIA që po e respektojmë, duke marrë në konsideratë të gjitha opsionet në dispozicionin tonë”, – shkruhet në komunikatë.

Toni i përdorur në këtë reagim nga skuadra që sapo ka fituar Botërorin me Maks Vershtapen, tregon qartë linjën e fortë mbrojtëse të saj.

Skuadrat që kanë bërë shkelje do të përballen me një proces në gjykatën e FIA-s, të përbërë minimumi nga 6 gjykatës dhe maksimumi 12. Nëse skuadrat shpallen fajtore, kanë të drejtën e apelimit në Gjykatën Ndërkombëtare të vetë FIA-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë