Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas dënimit me 12 vite burg nga Gjykata e Hagës, për dy ish-shefat e shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë. Në një postim në “Twitter”, Kurti shkruan se Serbia duhet të kërkojë falje dhe të distancohet nga Serbia e Millosheviçit.
Sipas tij, Jovica Stanishiç dhe Franko Simatoviç, janë të njëjtët persona që kanë kryer gjenocid në Kosovë pasi e kryen atë në Bosnjë.
“Dy figura famëkeqe të regjimit të Millosheviçit, Jovica Stanishiç dhe Franko Simatoviç, u dënuan me 12 vjet burg secili për ndihmën dhe mbështetjen e krimeve të kryera nga një njësi speciale e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Serb, Beretat e Kuqe, gjatë luftës në Bosnje në 1992, – thotë Kurti. – Këta janë të njëjtët persona, strukturat e të cilëve pas Bosnjës, kryen gjenocid në Kosovë. Serbia sot duhet të përballet me të kaluarën e saj, të pranojë të vërtetën, të kërkojë falje dhe të distancohet nga Serbia e Millosheviçit. Vetëm atëherë mund të fillojë pajtimi”.
Gjykata e Hagës, ka dënuar një ditë më parë me nga 12 vite burg secilin, dy ish-shefat të shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë, të akuzuar për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.
Jovica Stanishiç, 70 vjeç, ka qenë ish-shef i shërbimit të sigurimit shtetëror të Serbisë dhe zëvendësi i tij ishte Franko Simatoviç, 71 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




