Greqia do të zgjerojë me 12 milje ujërat territoriale të saj në Detin Jon, pavarësisht nëse ka apo jo marrëveshje me Shqipërinë. Paralajmërimi është dhënë nga Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
Mitsotakis foli para Parlamentit grek, i mbledhur për të ratifikuar dy marrëveshjet që Athina ka nënshkruar me Egjiptin dhe Italinë. Ai tha se së shpejti, Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias do të vizitojë Tiranën për ta njoftuar Qeverinë shqiptare për këtë vendim të Athinës.
Mitsotakis tha se me këtë vendim Greqia ushtron të drejtën që ja njeh Konventa Ndërkombëtare e Detit për t’u zgjeruar me 12 milje aty ku është e mundur dhe aty ku kjo nuk është e mundur, si në Kanalin e Korfuzit, të përdoret parimi i barazlargësisë.
“Greqia do të ushtrojë të drejtën e zgjerimit me 12 milje të ujërave territoriale në Perëndim dhe për këtë Ministria e Jashtme ka njoftuar prej kohësh si palën italiane, ashtu edhe atë shqiptare. Duke respektuar ligjet ndërkombëtare për detin, aty ku distanca mes dy brigjeve është më pak se 24 milje të aplikojmë parimin e barazlargësisë”, tha ai.
Kryeministri grek i vlerësoi me rëndësi dy marrëveshjet e arritura me Egjiptin dhe Italinë, ndërsa tha se “nervozimi që shkaktuan në Ankara, provojnë se Greqia është në rrugën e drejtë dhe e armatosur me të drejtën që ja njohin ligjet ndërkombëtare për kontrollin e ujërave në Mesdheun Lindor”.
Dosja për kufirin me Shqipërinë doli nga sirtarët greke pas ndarjes së detit me Egjiptin. Para pak ditësh Ministri i Jashtëm grek, Niko Dendias, paralajmëronte se tanimë radhën e ka arritja e marrëveshjes së detit me Shqipërinë, edhe pse sipas tij, rruga për ndarjen e zonave ekskluzive ekonomike mes dy vendeve është e gjatë dhe e ndërlikuar.
Duke folur në një intervistë për Skai TV, ai tha Greqia do të fokusohet sërish në arritjen e një marrëveshjeje për kufirin detar, në raport me Shqipërinë, pas dështimit të tentativave që u bënë në 2017/2018.
Por ajo që ka zbuluar kreu i diplomacisë greke është se “problemi” në nisjen bisedimeve e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Shqipërisë për kufirin detar, qëndron tek Presidenca shqiptare. Dendias iu referua momentit kur Presidenti i jep autorizim Ministrit të Jashtëm për fillimin e bisedimeve, duke e quajtur këtë një çështje të brendshme të Shqipërisë.
Duke e cilësuar si çështje e brendshme gjatë intervistës, Ministri i Jashtëm i Greqisë vazhdoi duke thënë se diplomacia greke do të merret me këtë çështje, duke kujtuar në të njëjtin paragraf integrimin e Shqipërisë në BE.
“Gjërat janë disi më të komplikuara, sepse Shqipëria fillimisht ra dakord, pastaj e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Janë disa çështje ligjore të brendshme, çështjet e tyre: Dhënia e autorizimit nga ana e Presidentit për qeverinë, që ai mund të mos jetë i gatshëm ta japë. Por kjo është një çështje që politika e jashtme e Greqisë do të merret. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Shqipëria është një vend mik, një vend me të cilin Greqia do që të ketë marrëdhënie miqësore, për të zgjidhur çdo problem që mund të ketë. Ky është një nga problemet që kemi”, deklaronte Dendias.
Më pas ai u ndal edhe tek kërkesa e vazhdueshme e Greqisë për respektimin e të drejtave të minoritetit grek, të cilin Athina duket se po e përdor si “as nën mëngë” për të përfituar përparësi në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dy-palëshe.
“Sigurisht që ka edhe çështje të tjera: ajo për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek, që do të zgjidhet me ecurinë e negociatave të Shqipërisë, sepse kjo është pjesë e “aquis”. Këtë nuk po e themi si Greqi. Po e themi si një vend europian, dhe kjo është një këshillë për të gjitha vendet që nisin këtë udhëtim të gjatë për t’iu bashkuar familjes sonë, Bashkimit Europian. Çështja e të drejtave të njeriut është një çështje sovraniteti dhe në këtë sens, Shqipëria duhet ta shohë minoritetin grek si një faktor për zhvillimin e vendit, një urë miqësie mes Shqipërisë dhe Greqisë”, deklaroi ai.
Mediat greke shkruajnë prej kohësh se “Demokracia e Re” kërkon që llogaritja e 12 miljeve detare duhet të fillojë nga disa shkëmbinj të pabanuar që gjenden pranë Korfuzit, dhe jo nga vetë ishulli, një skenar që do të sillte kufirin grek shumë më pranë ujërave detare shqiptare.
Edhe pse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet në Athinë ose Tiranë, toni i përdorur nga Mitsotaqis është një sinjal se negociatat me të do të jenë më të vështira sesa negociatat me qeverinë “Tsipras”.
Minoriteti duket se i ofron atij mundësi të mbajë nën presion qeverinë shqiptare, për të vendosur kushtet e tij për atë që është në të vërtetë molla e sherrit mes Greqisë dhe Shqipërisë: kufiri detar. Dhe ndryshe nga qeveria e mëparshme dhe ish-ministri Niko Kotzias, Mistotaqis dëshiron ta rinegociojë marrëveshjen e re të detit me kushtet e tij.
Kjo vijë e kufirit të detit, ku Shqipëria dhe Greqia ushtrojnë sovranitet të plotë, do të përbente edhe kufirin shtetëror Shqipëri-Greqi në pjesën veriore të Detit Jon. Edhe pse draft marrëveshja e arritur nga Bushati dhe Kotzias ishte gjithnjë e rrethuar nga misteri, gjatë dorëzimit të postit, ish-ministri grek shkaktoi jo pak kaos në Tiranë duke deklaruar se Greqia do të zgjeronte me 12 milje sovranitetin e saj detar. Edhe pse Athina zyrtare u tërhoq nga kjo deklaratë, Tirana zyrtare ka heshtur, duke mos pranuar as të mohonte dhe as të konfirmonte këto raporte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.