Gazeta Si - Ministri i Jashtëm grek ka nisur prej ditësh një tur në Ballkan, si pjesë e përpjekjeve për diskutimin mbi situatën më të fundit në rajon, por edhe për të atë që Athina zyrtare e cilëson si kërcënime për luftë të Turqisë për çështjen e detit Egje.
Pas Shkupit, Dendias udhëtoi këtë të hënë në Beograd, ku u prit nga homologu i tij, Ivica Daçic. Natyrshëm marrëdhëniet mes Greqisë dhe Serbisë cilësohen si të niveleve më të larta, edhe për faktin, se Beogradi zyrtar e vlerëson së tepërmi faktin se qeveria greke nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Duke mbetur pikërisht te Kosova kur ka një tensionim të situatës për shkak të vendosjes së barrikadave në veri të Mitrovicës prej 10 ditësh, Dendias ka dhënë sinjale pro Beogradit zyrtar.
Në konferencën e përbashkët për median me Daçiç, kryediplomati grek u shpreh se marrëveshjet e nënshkruara duhet të respektohen.
“E përsërita qëndrimin tonë për Kosovën. Ne mbështesim plotësisht vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme. Zbatimi i atyre që është rënë dakord mes dy palëve – firmat janë – dhe janë të rëndësishme. Dhe siç themi gjithmonë, ‘pacta sunt servanda’”, deklaroi Dendias.
Pra kryediplomatin grek marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen, duke nënkuptuar se pret nga Prishtina zyrtare pranimin e Asocacioneve që kërkohet nga Beogradi.
Dendias pritet të vizitojë nesër Kosovën dhe ai u shpreh nga Serbia se të njëjtën qëndrim do të mbajë edhe në takimet që do të zhvillojë në Prishtinë. Sa i përket konfliktit mes Turqisë dhe Greqisë, Dendias ka përsëritur se për çështjen e detit do të mbrohet sovraniteti.
“Dua të deklaroj këtu nga Beogradi, hapur, se Greqia do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe të drejtat e saj sovrane në kontekstin e së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare të detit. Dhe ne nuk do të kursejmë asnjë mjet ligjor për t'i mbrojtur ato të drejta”, deklaroi Dendias. Më tej ai sulmoi Turqinë për qëndrimet në lidhje me çështjen e detit. “Fatkeqësisht, Ivica im i dashur, nuk po jetojmë në kohë të qeta. Po flas edhe për revizionizmin, i cili i kombinuar me aspiratat neo-otomane dhe kërcënimet për luftë është diçka me të cilën Greqia duhet të përballet çdo ditë, në narrativën irracionale të Turqisë”, theksoi ai.
Dendias më pas është ftuar për një drekë nga presidenti serb Aleksander Vuçiç në shtëpinë e prindërve me rastin e festës së Shën Nikollës.
“Në shtëpinë e prindërve të mi sot në Shën Nikollë prita Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias dhe Ivica Daçiçin. Faleminderit që nderuat shtëpinë e Vuçiçit! Rroftë miqësia serbo-greke!”, shkruan ai, ndërsa në foto e ndara në Instagram shihet me tabaka në dorë, duke u shërbyer vetë miqve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.