Kryediplomati grek, Nikos Dendias, sot(3 qershor) ka qëndruar në Beograd për vizitë zyrtare, ku është pritur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili tha se më të ka folur edhe për “temat e nxehta gjeopolitike”, bashkëpunimin rajonal, integrimin evropian, krizën aktuale energjetike, si dhe luftën në Ukrainë.
Vuçiçi u kujdes që edhe në këtë takim ta falënderojë shtetin e BE-së që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.
“Vuçiçi falënderoi Greqinë për qëndrimin e saj të qëndrueshëm ndaj respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, si dhe për përpjekjet e saj gjatë Presidencës së Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, duke shtuar se Serbia vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për integrimin europian të Serbisë dhe angazhimin e saj aktiv”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Presidenca serbe.
Vuçiçi gjithashtu i tha kryediplomatit grek se Serbia u kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Greqinë, të cilat bazohen në miqësinë e fortë, afërsinë e konfirmuar historikisht dhe solidaritetin e dy popujve.
Kur u fol për bashkëpunimin rajonal, Vuçiçi e prezantoi Serbinë si vend që dëshiron “të ruajë stabilitetin dhe orientimin e të gjitha vendeve të rajonit drejt bashkëpunimit më intensiv në të gjitha fushat, sepse vetëm një rajon i tillë mundëson zhvillimin e qëndrueshëm të vetë Serbisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




