Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias ka premtuar sot përkrahjen e Athinës për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe dialogun me Serbinë.
Dendias ndodhet në një vizitë zyrtare në Kosovë të cilën e ka nisur me një takimi me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla.
“Ne mbështesim vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe u bëj thirrje të gjitha palëve që të rrisin përpjekjet për të arritur një zgjidhje detyruese ligjore dhe të qëndrueshme. Kjo zgjidhje do të stabilizojë mbarë rajonin dhe do të sjellë rajonin më afër familjes evropiane”, ka deklaruar Dendias.
Edhe pse Greqia është ndër vendet europiane që nuk e njohin Kosovës, kryediplomati ka deklaruar se Athina është duke thelluar marrëdhëniet ekonomike me Kosovën dhe po lobon për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
“Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Europës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së, në këtë drejtim kemi qenë në favor të libralizimit të vizave, meqë keni përmbushur kriteret. Për këtë ne kemi mbajtur qëndrim në Këshillin e ministrave dhe do të vazhdojmë të mbështesim në drejtim të kësaj çështjeje”, ka deklaruar ai.
Gërvalla, në anën tjetër, ka thënë se Kosova dhe Greqia janë pajtuar që në të ardhmen të hapet një zyrë e thjeshtë ekonomike e Kosovës në Athinë, jo vetëm për çështje ekonomike, por edhe në fusha tjera si ato politike. Ajo i ka dërguar një sinjal Dendias, duke thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së përbën kontribut thelbësor për stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan.
“Pavarësia e Kosovës është fakt i patjetërsueshëm dhe sa më parë të pranohet një fakt i tillë aq më shpejt sigurohet një perspektivë e qëndrueshme për rajonin, Kosovën dhe Serbinë. Por, duke pasur parasysh që Greqia pavarësinë e Kosovës e sheh ende nga një këndvështrim tjetër, ne afirmojmë që me Greqinë dhe partnerët tjerë të BE-së dhe jashtë saj, të vazhdojmë dialogun edhe rreth kësaj çështjeje”, ka deklaruar Gërvalla.
Gjatë ditës kryediplomati grek do të takohet edhe me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe krye parlamentarin Glauk Konjufca.
Vizita vjen pas një sërë raportesh se SHBA po i ushtron presion Greqisë për të njohur pavarësinë e Kosovës por për momentin Greqia nuk ka dhënë asnjë sinjal se po lëviz në këtë drejtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




